PRISHTINË, 4 Dhjetor/ATSH/.- Shkalla e ekonomisë joformale në Kosovë ka pësuar rënie, ku që prej vitit 2007 ajo ka shënuar rënie nga 34.74 për qind në 31 për qind.
Kështu pohoi ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj, në konferencën për parandalimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare, organizuar nga Ministria e Financave dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Beqaj pohoi se "ekonomia jo formale është një fenomen i dëmshëm dhe se parandalimi i ekonomisë joformale, përfshirë dhe parandalimin e korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë, janë të ndërlidhura drejtpërdrejtë me politikën dhe prioritetet e qeverisë së Kosovës".
Sipas tij, qeveria e Kosovës gjatë viteve të fundit, ka ndërmarrë një sërë masash dhe veprimesh konkrete, me qëllim të parandalimit dhe reduktimit të shkallës së ekonomisë joformale në Kosovë si dhe luftimit të aktiviteteve të financimit të terrorizmit, krimit ekonomik dhe financiar.
"Megjithëse institucionet e vendit i pret rrugë e gjatë, drejt luftimit të informalitetit, qeveria është e përkushtuar dhe e vendosur, që të bëjnë maksimumin, në luftimin e ekonomisë jo formale dhe dukurive të tjera negative", theksoi Beqaj.
Christof Stock, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, theksoi se "me një bashkëpunim dhe mbështetje dhe nga zyra e BE-së, shkalla e informalitetit mund të ulet dhe më shumë, duke rritur kështu shkallën e konfiskimeve dhe duke u shkaktuar dhimbje të mëdha kriminelëve të Kosovës".
"Vlerësimi tregon se ka pasur një rënie të lehtë të shifrave të ekonomisë joformale në Kosovë, që nga viti 2007. Por raporti po ashtu thekson se më shumë se 200 milion euro, nuk përfshihen në statistikat zyrtare. Këto para mund të rrjedhin nga fitimet e ekonomisë së zezë, apo thënë me qartë në aktivitete kriminale. Ky është nuk është lajm i ri veçanërisht për qytetarët dhe tatimpaguesit në Kosovë. Zyra e BE-së në Kosovë ka mbështetur institucionet kosovare në luftën kundër krimit financiar dhe do të ndihmojnë prokurorinë gjatë hetimeve të krimeve ekonomike. Nuk ka asnjë dyshim që me një bashkëpunim të tillë mund t'i ulim dhe më shumë shifrat e ekonomisë joformale në Kosovë dhe mund të rrisim shkallën e konfiskimeve dhe t'u shkaktojmë dhimbje të mëdha kriminelëve të Kosovës", tha Stock.
Me kërkesë të Ministrisë së Financave, Zyra e BE-së në Kosovë, ka financuar vlerësimin e shkallës së ekonomisë joformale në Kosovë për vitin 2014, i cili është realizuar nga projekti mbështetje institucioneve të Kosovës, në luftimin e krimit ekonomik dhe financiar. Rezultatet e këtij vleresimi u prezantuan në këtë konferencë./KosovaPress/k.s/