Kosovë – Në 6 muaj, 75 000 qytetarë të migruar drejt vendeve të BE-së


PRISHTINË, 19 Nëntor /ATSH-B.Jashari/.-Në Kosovë, shkaqet socio-ekonomike renditen ndër faktorët e parë që kanë shtyrë qytetarët të migrojnë në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa periudha më kritike ishte prej tetorit 2014 deri në mars 2015, deklaroi sot Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Sipas shifrave zyrtare të agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore rreth 75,000 qytetarë kanë migruar në BE. Gjatë muajve tetor-dhjetor 2014, numri i qytetarëve që u larguan nga Kosova ishte 25,880, ndërsa kulminacionin kritik e arriti në tremujorin e parë të vitit 2015 (janar-mars), kur 48,875 kosovarë u larguan nga vendi.
"Kosova përballet me shkallë të lartë të papunësisë, veçanërisht tek të rinjtë, ku 35.4 për qind e qytetarëve e forcës aktive për punë janë të papunë, ndërsa kjo është më së shumti e shprehur te të rinjtë, ku 61 për qind janë të papunë", theksoi Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Kjo qendër publikoi dy hulumtime që kanë në fokus analizimin e shkaqeve, pasojave të migrimit të parregullt dhe ndikimin në procesin e integrimit për Kosovën, konkretisht në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
"Azilkërkuesit nga Kosova të intervistuar për qëllime të këtij hulumtimi, janë shprehur se papunësia, kushtet e vështirë socio-ekonomike dhe vështirësia për të gjetur punë kanë qenë arsyet pse janë larguar jashtë vendit për një perspektivë më të mirë. Sidoqoftë, vendet e BE-së kanë bërë të qartë se nuk do ketë azil për kosovarët për çështje ekonomike", theksoi Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Sipas saj, faktori i dytë që ka ndikur në rritjen masive të numrit të azilkërkuesve ka ardhur si pasojë e rrjeteve kriminale të kontrbanduesve që operonin në Kosovë dhe Serbi, që kontrabandonin migrantët kosovarë përmes Serbisë drejt BE-së. Rruga kryesore e migrimit të kosovarëve drejt BE-së ishte përmes Serbisë, përkatësisht qytetit të Suboticës, ku ishin të përqendruar rrjetet e kontrabandistëve që bënin transportimin e migrantëve prej atje drejt Hungarisë.
"As autoritetet përkatëse serbe nuk ishin të gatshme të luftonin kontrabandistët dhe ishin të dijeni të funksionimit të këtyre grupeve deri në momentin kur kjo çështje mori përmasa alaramante", thuhet në hulumtim.
Në rekomandime theksohet se, duhet të ketë përpjekje të përbashkëta nga qeveria kosovare dhe Zyra e BE-së në Kosovë për të zhvilluar një strategji të qartë për ofrimin dhe shpërndarjen e informacionit të saktë lidhur me rregullat e hyrjes në zonën Shengen, si dhe përgjegjësitë e regjimit pa viza.
Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë me vendet fqinje, si dhe institucionet e BE-së, si një mënyrë për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe manipulimit në mesin e qytetarëve. Po ashtu, rekomandohet që qeveria e Kosovës të foksuohet në reforma ekonomike për zvogëlimin e papunësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Theksohet se, regjimi pa viza do të sigurojë një rrugë për dalje nga migrimi i parregullt. "BE-ja duhet të jetë më e qartë kur bën vlerësimin e progresit të Kosovës për liberalizimin e vizave. Kosova, në këtë rast, duhet të trajtohet njëlloj sikurse vendet e tjera të rajonit", thuhet mes tjerash në rekomandime./m.m/

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon