PRISHTINË, 19 Nëntor /ATSH/.- Xhudistja Nora Gjakova dhe trajneri i saj, Driton Kuka, kanë marrë sot shpërblimet shtetërore për medaljen e artë të fituar në Kampionatin Evropian të Xhudos në kategorinë U-23, që u zhvillua më 14- 16 nëntor në Wroclaw, Poloni.
Shpërblimet ua dha ministri Memli Krasniqi në një ceremoni rasti në Ministrinë kosovare të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Bazuar në Rregulloren për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët kulminantë, Gjakova ka marrë shpërblim prej 5 mijë eurove, ndërsa trajneri Kuka 2500 euro.
Ministri Krasniqi vlerësoi se Nora Gjakova është një nga sportistët më të suksesshme të Kosovës dhe që me paraqitjet dhe sukseset e saja, bashkë edhe me kampionen Majlinda Kelmendi dhe xhudistët e tjerë, kanë bërë që Kosova të njihet anekënd botës.
Xhudistja Nora Gjakova tha se për të kjo medalje është një motivim tejet i lartë në synimin e saj që bashkë me xhudistë dhe sportistë tjerë nga Kosova të përfaqësojnë denjësisht Kosovën në Olimpiadë./b.j//a.ke/









