Korrigjimi i pr.ligjit të ‘Territoriales’ përpara se ajo të votohet në Kuvend, në një kohë kur kjo parashikohet të ndodhë pas vetëm tri ditëve, është e vetmja rrugë që të arrihet drejt mirëqeverisjes vendore, shprehet Erion Braçe për ‘Studio Live’ në Report Tv.

Në mbledhjen e sotme të grupit, deputeti ka mbajtur qëndrim kundër kësaj reforme ndaj së cilës ka pasur pikëpyetje nëse është thjesht ndarje territoriale dhe evidenton mungesën e delegimit të kompetencave në pushtetin lokal.

“Ka kohë boll për ta korrigjuar dhe për t’i sjellë parlamentit një gjë që qëndron nga A te Zh. Ka kohë të mjaftueshme që qeveria qendrore të transferojë kompetenca dhe të drejta. Ka kohë boll për t’i bërë gjërat mirë dhe për të marrë më të mirën e mundshme nga kjo qeveri. Kërcënime brenda e jashtë PS kam marrë boll.

Thelbi i gjithë kësaj gjëje nuk është harta, por mirëqeverisja e institucioneve. Janë institucione që krijohen me votë. I duhet dhënë fund këtij deformimi të madh që ne përqendrojmë pushtetet te niveli i lartë ose vendor dhe nuk delegohet në hallka”, u shpreh Braçe.

Harta e re duhet t’u qëndrojë parimeve për t’iu përgjigjur interesit të njerëzve.

“Detyra ime dhe besoj, edhe e kolegëve të PS është ta përdorin për të sjellë ndarjen administrativo-territoriale në parime. Çdo njësi e vizatuar në hartë të jetë mbi ato parime. Duhen dhënë garanci të plota që qeveria do të transferojë pushtet dhe funksione të qenësishme që i shërbejnë qytetarit”, u shpreh Braçe.

Vërejtje pati edhe për kolegët e PS që janë të bindur se reforma s’duhet të votohet dhe nuk ka asgjë që t’i pengojë për të ndryshuar situatën.

“Çfarë na pengon të jemi në kushte të tjera? A e kemi ne mazhorancën? A e kemi fuqinë politike? Çfarë na pengon? Arroganca, që këtë e kemi bërë ne dhe do ta votoni? Çfarë kuptimi ka kur aty vetë brenda nuk janë të bindur? Kur aty brenda janë të bindur që te pushteti vendor duhet të kalojnë të tjera kompetenca. E kuptoni që i gjithë jugu i vendit për të kërkuar veterinerin duhet të vijë në Vlorë? E kupton çfarë absurdi është? Mund ta di pse duhet ta mbajë këtë kompetencë Ministria e Bujqësisë? Pse legalizimet duhet t’i mbajë ASHK dhe jo bashkitë? Pse territorin duhet ta menaxhojë qeveria qendrore e jo pushteti vendor? Ky është thelbi, jo vizatimi i një harte. Thelbi që e bën vizatimin e një harte, reformë”, u shpreh deputeti.


Lajmi kryesor:

Ekskluzive/ Braçe shpjegon votën kundër ‘Territoriales’: E pakonsultuar me grupin, na mblodhën 3 ditë para votimit! Përgjigje Ballës: S’më përjashtojnë dot nga PS ata që më gjetën aty