PRISHTINE, 17 nentor/ATSH/. - Ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, ka vlerësuar punën që është duke bërë Prokurori i Shtetit të Kosovës lidhur me bashkëpunimin me qytetet kufitare të Shqipërisë, ndërsa e ka inkurajuar që këto bashkëpunime të intensifikohen dhe me vendet e tjera kufitare, ben te ditur KosovaPress.
Kështu thuhet në një komunikatë të dërguar nga Prokuroria e Shtetit, ku këto deklarata i ka dhënë teksa Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, e ka pritur në një takim. Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për mundësin e thellimit të bashkëpunimit mes Prokurorit të Shtetit të Kosovës me atë të Norvegjisë, për çka Ambasadori Braathu ka shprehur gatishmërinë e tij për të ndihmuar thellimin e bashkëpunimit në mes të sistemeve prokuroriale të dy vendeve.
Hoxha e ka falënderuar për mbështetjen që ka dhënë dhe po vazhdon të jep shteti norvegjez për sistemin prokurorial të Kosovës, ku është veçuar mbështetja që është duke u dhënë në projektin e sistemit menaxhues dhe informativ të lëndëve për sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Në komunikatë thuhet se u.d. i Kryeprokurorit Hoxha po ashtu ka njoftuar Ambasadorin Braathu për aktivitetet që Prokurori i Shtetit është duke zhvilluar me institucionet e sistemit të drejtësisë të qyteteve kufitare të Kosovës, me ato të Republikës së Shqipërisë për koordinim më të mirë në luftë kundër krimit ndërkufitar. Ai ka thënë se aktivitete të tilla si me qytetet kufitare të Shqipërisë, pritet të zgjerohen edhe me qytetet kufitare të vendeve të tjera. /a.ke/









