Policia e Kosovës ka realizuar një tjetër aksion në Mitrovicë të Veriut, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera ilegale.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë, aksioni është zhvilluar sot në lagjen Bërxhane, pas informacioneve se në një shtëpi të braktisur kishte materiale të paligjshme.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur, ndër të tjera, “një minë kundër këmbësorisë me detonator”, municion të kalibrave të ndryshëm, barut, pajisje ushtarake, si dhe uniforma dhe këmisha të Policisë së Serbisë.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Deri më tani nuk ka të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Njoftimi i plotë:
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri, përkatësisht zyrtarë policorë nga kjo drejtori, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore dhe kontakteve të vazhdueshme me qytetarë, duke u ofruar atyre shërbime profesionale, kanë pranuar sot, më datë 28.01.2026, informata se në një shtëpi të braktisur në lagjen Bërxhane, Mitrovicë Veri, mund të gjendeshin mjete ilegale.
Lidhur me këto informata, policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, ku si rezultat gjatë kontrollit në një shtëpi te braktisur kanë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si në vijim:
Një karikator të zbrazet për armë të gjatë;
Një bajonet;
Shishe plastike e mbushur me saqme;
Kapsula per fishek;
Sasi e barutit;
Një rryp brezi ushtarak;
Një minë kundër këmbësorik;
Pjesë për mbushje të fishekëve;
Detonator për minë;
Targa të automjetit të ish Milicisë
Tre fishek te armës së gjuetisë;
Trembëdhjetë (13) fishek të kalibrave të ndryshëm;
Dy (2) fishek të kalibrit 12.7 mm;
Dy (2) fishek të kalibrit 20 mm
Dy (2) gëzhoja të kalibrit 12.7 mm;
Një xhaketë ushtarake dimërore;
Një palë doreza ushtarake;
Katër këmisha të Policisë së Serbisë.
Pasi që në deshmitë e gjetura është hasur material i rrezikshem eksplodues në vend ngjarje kanë dalë edhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksploduese (NJTME), të cilët nga vendi i ngjarjes kanë tërhequr sasinë e barutit, fishekët e kalibrit 12.7 mm si dhe 20 mm e po ashtu edhe minën kundër këmbësorik me detonatorin.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale:
“Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në lidhje me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë në numrin emergjent 192.
Komente






