PRISHTINË, 30 Qershor /ATSH/.-"Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm", deklaruan sot tre partitë opozitare kosovare.
Sipas tyre, "Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t'i nënshtrohet këtij vendimi".
"Çdo tentativë për ta përmbysur këtë vendim të deputetëve të Kuvendit të Republikës të shprehur lirshëm me votë të lirë, gjoja në emër të procedurave, është tendencë për ta përmbysur rendin institucional dhe demokratik në vend", thekson deklarata.
"Gjithashtu, i thërrasim të gjithë akterët të përfshirë në këtë proces, qofshin 'për' apo 'kundër', ta respektojnë vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës", përfundon deklarata e përbashkët e tre subjekteve opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën./b.j/ /a.ke/












