Kosovë/ KQZ urdhërohte të çertifikojë Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

Kosovë/ KQZ urdhërohte të çertifikojë Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

Lista Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

"Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojësubjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regiistim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025", u tha në vendimin e publikuar nga PZAP-i.

Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje arsyetuan vendimin e tyre, duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si "Kosova dhe Metohia".

Në mbledhjen e së hënës, vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kishte votuar për certifikimin e Listës Serbe. Dy anëtarët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi votuan kundër, ndërkaq të tjerët abstenuan.

Arianit Elshani nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, arsyetoi abstenimin e tij gjatë votimit, duke theksuar se certifikimi i Listës Serbe ishte rekomanduar nga Zyra për regjistrimin e partive politike.

Lista Serbe e cilësoi këtë vendim si të kundërligjshëm dhe njoftoi se do t'i drejtohej PZAP-it.

Çfarë u tha në vendimin e PZAP-it?

Në vendimin e publikuar më 25 dhjetor, PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Pra, sipas vendimit, Lista Serbe ka plotësuar kriteret pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj dhe Bujar Muzaqi tha se sipas Ligjit për zgjedhje, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.

“Në rastin konkret, Paneli vërtetoi se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin e kompletuar, në përpushmëni bazuar në nenet 16 dhe 17 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe KQZ-ja është e obliguar që të certifikojë çdo subjekt politik i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore, siç i ka plotësuar në rastin konkret Lista Serbe, për çka e njëjta është rekomanduar për certifikim nga Zyra për regjistrim, certifikimin dhe kontrollin financiar të subjekteve politike në KQZ-“, u tha në vendimin e PZAP-it, panel ku Lista Serbe dorëzoi ankesë një ditë më parë.

Njohësit e zhvillimeve politike më herët gjatë javës i thanë Radios Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore. Ata paralajmëruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të marrë vendim në favor të Listës Serbe dhe do të obligojë KQZ-në që ta certifikojë këtë parti.

Lista Serbe ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

Ish-nënkryetari i kësaj partie, Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një rreshter të Policisë së Kosovës.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë këtë sulm si terrorist dhe e fajësojnë shtetin serb për organizim dhe kryerjen e tij, por Beogradi hedh poshtë këto akuza.

Në mbledhjen e 23 dhjetorit, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, duke argumentuar moscertifikimin e Listës Serbe tha se kjo parti nuk e ka dënuar asnjëherë sulmin në Banjskë, dhe që nuk është distancuar asnjëherë nga "aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë".

Kosova kërkon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi./ REL

G.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja