Gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për President të Kosovës, duke vënë në pikëpyetje zgjidhjen e krizës politike që po pengon konstituimin e Kuvendit thuajse një muaj pas afatit kushtetues dhe duke rikthyer skenarin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ishte kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili njoftoi se vendimi i Kryesisë së LDK-së, ku emri i Sejdiut u votua unanimisht si kandidat për President, u hodh poshtë nga 6 deputetë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar.

Konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin Bekim Sejdiu për President të Kosovës. Abdixhiku e dënoi veprimin e 6 deputetëve dhe i kërkoi falje popullit të Kosovës, duke paralajmëruar se vendi po shkon sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Për fatin e keq, 6 deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së. Konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar. Konsideroj që i bëjnë dëm të gjithë procesit, duke humbur një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën, për ta çuar vendin në zgjedhje. Kemi pasur një kandidaturë të shkëlqyer, të propozuar nga LDK. Unë me 12 deputetë të tjerë do të jem në sallë ditën që do të votohet dhe do të votoj, nuk mund të bëj më shumë. I kërkoj falje popullit të Kosovës”, tha mes të tjerash Abdixhiku pas mbledhjes me Grupin Parlamentar të LDK-së.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti ka thënë se qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun, ka krijuar një situatë të re politike. Ai shtoi se do të takohej sërish me Abdixhikun për zgjidhjen e krizës politike në Kosovë.

“Natyrisht, kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënëse qëndrimi i kryesisë së LDK-së, mirëpo më pas patëm edhe këtë njoftimin negativ që 6 deputetë të LDK-së nuk e mbështesin Sejdiun për president. Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe që të rikthehem në kryesinë e VV-së për ta diskutuar rrugën e re që duhet ta ndjekim përpara”, deklaroi Kurti.

Ai tha se deputetët e Vetëvendosjes mbështesin të gjithë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, ndërsa kritikoi qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, duke e cilësuar të papërgjegjshëm dhe të paarsyeshëm.

Kurti paralajmëroi se dështimi i procesit për zgjedhjen e presidentit dhe rikthimi i vendit në zgjedhje do të ishte, sipas tij, i panevojshëm dhe i dëmshëm për Kosovën.

Por përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të siguruar mbështetje sa më të gjerë për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president ka hasur edhe në kundërshtimin e dy partive kryesore opozitare. Pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bëri të qartë se nuk do ta votojë kandidatin e propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk do t'i bashkohet marrëveshjes së arritur mes dy partive dhe nuk do të mbështesë Sejdiun për president.

“Nuk ka ndryshim të qëndrimit. Qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, tha Hamza.

Ai shtoi se deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim me Sejdiun dhe se, nëse zgjidhet president, ai duhet të jetë një figurë unifikuese.

“Asnjë komunikim. Asnjë diskutim nuk ka. Ai, nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues. Fillimet nuk janë të mira”, u shpreh kreu i PDK-së.

Në të njëjtën linjë u pozicionua edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i cili deklaroi se partia e tij nuk ka asnjë detyrim ndaj marrëveshjes së arritur mes LVV-së dhe LDK-së.

“Qëndrimi i Aleancës është i qartë që prej datës 7 qershor. Ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj çfarëdo marrëveshjeje që bëjnë dy parti politike të tjera. S'kam kohë për kësi lojërash të fëmijëve që janë me qëllim mashtrimin e opinionit publik dhe dërgimin e Kosovës në zgjedhje. Jemi qind për qind unik. Çfarëdo vendimi që merret në Aleancë, grupi parlamentar është unik”, tha ai. 

Bekim Sejdiu u propozua si kandidat i përbashkët për president nga LVV-ja dhe LDK-ja pas marrëveshjes së arritur më 31 gusht, në përpjekje për t'i dhënë fund ngërçit politik që ka bllokuar krijimin e institucioneve të reja në Kosovë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende. LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re. Nëse deputetëve të LVV-së dhe dhjetë deputetëve nga pakicat joserbe iu bashkohen 18 deputetët e LDK-së, numri arrin në të paktën 81 vota. Por me ikjen e 6 prej tyre numri 75 në sallë nuk është i mjaftuehsëm për zgjedhjen e presidentit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:54
6 deputetë të LDK-së kundër Sejdiut, Kurti kërkon takim të ri me Abdixhikun: Është krijuar një situatë e re, zgjedhjet të panevojshme!

Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president kanë shtyrë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të kërkojë një takim të ri me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kurti e bëri të ditur kërkesën pas mbledhjes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun, ka krijuar një situatë të re politike.

“Natyrisht, kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënëse qëndrimi i kryesisë së LDK-së, mirëpo më pas patëm edhe këtë njoftimin negativ që 6 deputetë të LDK-së nuk e mbështesin Sejdiun për president. Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe që të rikthehem në kryesinë e VV-së për ta diskutuar rrugën e re që duhet ta ndjekim përpara”, deklaroi Kurti.

Ai tha se deputetët e Vetëvendosjes mbështesin të gjithë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, ndërsa kritikoi qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, duke e cilësuar të papërgjegjshëm dhe të paarsyeshëm.

“E konsiderojnë të papërgjegjshme, të dëmshme, absurde një sjellje të tillë të këtyre gjashtë deputetëve, ku pas tri palë zgjedhjeve duket që ka dëshirë e ka vullnet, ka interes që të shkojmë edhe në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet”, tha Kurti.

Kurti paralajmëroi se dështimi i procesit për zgjedhjen e presidentit dhe rikthimi i vendit në zgjedhje do të ishte, sipas tij, i panevojshëm dhe i dëmshëm për Kosovën.

“Qytetarët kanë folur edhe më 9 shkurt, më 28 dhjetor të vitit 2025, kanë folur edhe më 7 qershor të vitit 2026. Nuk do të duhej që pa arsye, pa nevojë, përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh ai.

Ora 19:59
Pas çarjes në LDK, Kurti mbledh Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes, paralajmëron deklaratë pas takimit

1788285867_732724BbegVTNKxC.jpeg

Albin Kurti duke u futur në mbledhjen e grupit të Vetëvendosjes

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbledhur Grupin Parlamentar të partisë në selinë e VV-së, brenda Kuvendit të Kosovës, në një ditë kur marrëveshja me LDK-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut po përballet me kundërshtime.

I pyetur nga gazetarët për zhvillimet e fundit dhe qëndrimet brenda LDK-së, Kurti tha se marrëveshja për zgjedhjen e presidentit tashmë është arritur dhe se emri i Bekim Sejdiut është propozuar nga të dyja palët.

“Vullnetin për zgjedhjen e presidentit e kemi shndërruar në marrëveshje me LDK-në, me emrin e përveçëm të profesor Bekim Sejdiut. Mbrëmë kemi pasur takim në VV me Kryesinë, tash po shkoj në mbledhjen e Grupit Parlamentar e më pas do të mund t’ju drejtohem”, tha Kurti.

Ora 19:53
Marrëveshja për presidentin, deputetja Hykmete Bajrami i del kundër Abdixhikut: S'jam numër për t'ia zgjatur pushtetin Kurtit

1788285381_HykmeteBajrami1.jpg

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka dalë hapur kundër marrëveshjes mes partisë së saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo thotë se nuk e ka deleguar votën te askush dhe nuk pranon të bëhet pjesë e një marrëveshjeje që, sipas saj, i zgjat pushtetin Albin Kurtit. Bajrami shton se deputetët nuk janë konsultuar për kandidaturën e Bekim Sejdiut dhe kundërshton përqendrimin e pushtetit në duart e një partie.

" Nuk e kam deleguar votën te askush. Mbështetja që kam marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk më është dhënë për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit. Përkundrazi, këtë besim e kam marrë se besoj fort se kam arritë të jem zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes së Albin Kurtit, kam punuar e jam angazhuar për interesin e vendit dhe kam mbrojtur e ruajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës aq sa kam mundur.

Prandaj, për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit.

Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie. Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin, tashmë e dëshmuar kjo që gjashtë vite radhazi.

Jam kundër zgjedhjeve të reja, por shmangia e tyre nuk mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje që u prezantohet si fakt i kryer. Emrat e diskutuar për President të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së. Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike. Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja.

Pastaj mos të harrojmë se zgjedhjet nuk shmangen me çdo kusht me zgjedhjen e presidentit sepse Kuvendi për shkak të LVV ka bërë shkelje kushtetuese dhe është kalu afatin 30 ditor për konstituim. Deri në ditën e fundit të angazhimit tim politik do të përpiqem ta përfaqësoj më së miri besimin që më kanë dhënë qytetarët dhe të votoj sipas bindjes sime dhe interesit të vendit.

53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt" shkroi ajo në rrjete sociale.

Ora 18:23
Kosovë/ Kush janë 6 deputetët e LDK-së që dolën kundër kandidaturës së Sejdiut për President (EMRAT+VIDEO)

 

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur pas takimit të zhvilluar me Kryesinë e LDK-së dhe mbledhjes së zhvilluar me Grupin Parlamentar të LDK-së.

Abdixhiku tha se vendimin e Kryesisë së LDK-së, e cila miratoi me vota unanime kandidaturën e Bekim Sejdiut, në mbledhjen e Grupit e kundërshtuan 6 deputetë të LDK-së, ç’ka rrezikon mos-zgjidhjen e ngërçit institucional në Kosovë.

Konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin Bekim Sejdiu për President të Kosovës. 

Nëse nuk do të arrihen votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, vendo do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Në orën 14:00 mbajtëm mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, ku diskutuam jo vetëm propozimin e LDK-së për Bekim Sejdiun, por edhe gjithë angazhimin tonë politik në këtë drejtim. Sejdiu njihej si një i djathtë, si një njeri që ka punuar me dinjitet. Pa asnjë votë kundër, e gjithë Kryesia votuan për kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut. Menjëerë pas mbledhjes, me një deklaratë publike i bëmë thirrje deputetëve të LDK-së që të mbështesin këtë kandidaturë. Tani sapo mbajtëm edhe mbledhjen e grupit të LDK-së. Për fatin e keq, 6 deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së. Konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar. Konsideroj që i bëjnë dëm të gjithë procesit, duke humbur një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën, për ta çuar vendin në zgjedhje. Kemi pasur një kandidaturë të shkëlqyer, të propozuar nga LDK”, tha mes të tjerash Abdixhiku.

Ora 16:28
LDK vulos marrëveshjen me LVV-në, Kryesia miraton kandidaturën e Bekim Sejdiut për president


1788273005_Screenshot25.jpg

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike të arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për tejkalimin e krizës institucionale, duke i dhënë njëkohësisht mbështetje zyrtare kandidaturës së Bekim Sejdiut për President të Kosovës.

Vendimi u mor në mbledhjen e Kryesisë së partisë, e cila, sipas LDK-së, miratoi marrëveshjen e negociuar nga ekipi i saj dhe nominimin e Sejdiut për kreun e shtetit.

Në deklaratë, LDK thekson se ky vendim synon garantimin e stabilitetit institucional, funksionimin normal të rendit kushtetues dhe shmangien e një krize të re politike.

Partia e vlerëson Bekim Sejdiun si një figurë me përvojë në fushën kushtetuese dhe diplomatike, duke theksuar se ai mund të ushtrojë detyrën e presidentit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe dinjitoze.

Sipas LDK-së, kandidatura e Sejdiut synon zgjedhjen e një presidenti që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton Kushtetutën dhe përfaqëson Kosovën brenda dhe jashtë vendit, me orientim të qartë euroatlantik.

Kryesia u bëri thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që gjatë votimit të veprojnë në përputhje me vendimet e partisë.