PRISHTINË, 19 nëntor/ATSH/. - Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, u ka mbajtur ligjëratë studentëve të Shkollës së Etikës së gazetarisë. Kjo është bërë me kërkesë të Komisionit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), ben te ditur KosovaPress.
Tema që Peci ka ligjëruar ishte "Sfidat e sistemit gjyqësor në raport me mediat". Sipas një komunikate për media, Peci njoftoi studentët për kompetencat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndarjen e gjykatave dhe kompetencat e tyre, sfidat nëpër të cilat ka kaluar gjyqësori, pasojat të cilat i ka bartur që nga paslufta, por gjithnjë duke shpresuar se në të ardhmen do të tejkalohen duke filluar nga rritja e numrit të gjyqtarëve e deri ngritja e kapaciteteve të profilizimit të tyre nga ana profesionale.
"Një prej parimeve bazë të gjykatave është qasja dhe trajtimi i gjithë personave në mënyrë të barabartë dhe mbi këtë premisë, askush mos të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, fesë etj. Sa i përket mediave, komunikimi me gjyqësorin duhet në radhë të parë të shihet nga këndvështrimi i kërkesave etike dhe ligjore për gjyqtarët dhe prokurorët. E drejta e informimit dhe e drejta për një gjykim të pavarur, janë të dyja të drejta të mbrojtura dhe të parashikuara në instrumente ndërkombëtare dhe vendore", tha ai.
Në fund të ligjëratës, pati edhe pyetje të shumta nga ana e gazetarëve, të cilave iu përgjigj kryesuesi i KGJK pa hezitim. ''Ju që keni zgjedhur këtë profesion fisnik, mos keni frikë, kushdo nga ju që do të përcjellë punën tonë, ne jemi të hapur dhe do t' ju mbështesim'', përfundoi Peci.
Kjo është shkolla e tretë e etikës të cilën Komisioni i Mediave të Shkruara të Kosovës e organizon për studentët e gazetarisë. /a.ke/









