PRISHTINË, 20 Shtator/ATSH/.- Peticioni i opozitës kosovare kundër marrëveshjeve me Serbinë, i nisur me firmat e liderëve të LVV-së, AAK-së e Nisma-s, po vazhdon të nënshkruhet sot në ditën e tretë.
"Gjatë dy ditëve të kaluara numri i nënshkrimeve ka arritur në rreth 34 mijë", bëhet e ditur nga subjekti më i madh opozitar kosovar, Lëvizja Vetëvendosje, sipas së cilës "qindra aktivistë anekënd Kosovës janë mobilizuar për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve".
Peticioni kërkon që "qeveria e Republikës së Kosovës të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015, si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi".
Për një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd, të arritura në Bruksel, në raundin e 28-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, opozita kosovare shprehet me fjalën serbe "Zajednica", që në shqip do thotë "Bashkësi" dhe nënkupton Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Opozita këtë javë ka bërë edhe një deklaratë të përbashkët kundër "bosnjëzimit të Kosovës" me marrëveshjet që sipas saj ndajnë në vija etnike vendin. Opozita protestoi të enjten në Kuvend duke bllokuar dhe ndërprerë seancën e parë të sesionit vjeshtor, ndërsa paralajmëroi protesta të tjera.