Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit mbi tre orësh me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

"Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike, e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës", tha Kurti.

Ai shtoi se koha për arritjen e një marrëveshjeje është shkurtuar dhe pa të, vendi rrezikon sërish të shkojë në zgjedhje.

Ndërkaq, më herët para takimit, duke hyrë në Kuvend, Kurti deklaroi se ai ka mbështetje të mjaftueshme për Kuvendin dhe Qeverinë, por “për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita”.

Abdixhiku ndërkohë nuk është prononcuar për mediat para dhe pas takimit. Ai ishte i shoqëruar në takim nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, dhe ish-presidentja Vjosa Osmani.

LDK-ja ka thënë se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve të reja. Megjithatë, partia e Abdixhikut ka thënë se dëshiron marrëveshje për tri institucionet: 'Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën'.

Takimi vjen dy ditë para mbajtjes së seancës konstituive për legjislaturën e njëmbëdhjetë.

Më herët, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se në takimin me Abdixhikun po shkonte me “me vullnet të mirë, me gatishmëri për marrëveshje”.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me Aleancën nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha Kurti më herët gjatë 4 gushtit.

Kurti u dërgoi ftesa një ditë më parë edhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe atij të Aleancës, Ardian Gjini, por që të dy refuzuan takimin me të.

Pikërisht mosarritja e konsensusit për çështjen e presidentit nxiti zgjedhjet e 7 qershorit – të tretat që nga shkurti i vitit 2025.

LVV-ja ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Megjithatë, për zgjedhjen e Presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila fitoi 18 vende, do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.