PRISHTINË, 3 Mars/ATSH/.- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, do të mbështesë shumë sektorë të bujqësisë përmes Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Programit të Pagesave Direkte për vitin 2015. Në programin e këtij viti, me një buxhet prej 43 milionësh, krahas rritjes së përkrahjes përmes granteve dhe pagesave direkte, përmes të cilave synohet rritja e prodhimtarisë bujqësore, rritja e cilësisë së prodhimeve bujqësore, përmirësimi i strukturës së fermave dhe rritja e të ardhurave për fermerët, janë përfshirë edhe kritere të reja lehtësuese për fermerët.
Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, gjatë prezantimit të këtyre programeve para fermerëve, shoqatave të fermerëve, drejtorëve të drejtorive bujqësore në komuna dhe partnerë tjerë në sektorin e bujqësisë.
Ai tha se programet janë konkrete e bashkë dhe i adresojnë edhe nevojat e sektorit, duke ndikuar kështu në zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit në mbarë vendin.
"Në pjesën e granteve kemi planifikuar 20 milionë euro, ndërsa tek Pagesat direkte sivjet është 23 milionë euro. Kjo ka ndikuar që dukshëm të rritet përkrahja për secilën kulturë dhe të rritet për ato ekzistuese", ka thënë ministri Krasniqi, cituar në njëftimin e dërguar.
Në këtë program, Krasniqi tha se kanë përfshirë shumë kritere lehtësuese për fermerët, mes të cilave tregoi se i kanë dhënë rëndësi kriterit të punësimit, pra ata që deklarojnë dhe realizojnë punësim do të kenë pikë më shumë, kritereve për fermerët e rinj në moshë, fermerët si dhe për gratë fermere, si dhe kritere të tjera.
Ndryshe, në programin e sivjetshëm për bujqësinë dhe zhvillimin rural, përmes granteve investive në vlerë prej 11 milionë euro do të përkrahet Masa 101 ku hyjnë investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore. Pastaj masa 103, ku hyjnë investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore që do të përkrahet me 5 milionë euro, ndërsa diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve në zona rurale do të përkrahet përmes granteve në vlerë prej 1.5 milionë euro.
Edhe sivjet do të mbështeten në vlerë prej 300 mijë euro përgatitja dhe zbatimi i strategjive për zhvillimin lokal, Leader, si dhe ujitja e tokave bujqësore më një vlerë prej 2 milionë euro. /b.j/ /gj.m/f.n/