PRISHTINË, 17 Nëntor/ATSH/.- Projekti i Regjistrimit të Bujqësisë në Kosovë deri sot, në ditën e 17- të të tij, ka arritur të realizohet rreth 85 për qind. Puna në terren nuk ka ngecur në ndonjë vështirësi dhe ekonomitë familjare, pra pjesa më e madhe e tyre, i janë përgjigjur me gatishmëri të plotë regjistrimit të këtij projekti, bën të ditur KosovaPress.
Monitorimi i punës në terren nga Agjencia e Statistikave të Kosovës sot ka vazhduar në Komunën e Vushtrrisë, komunë e cila deri më sot ka regjistruar 90 për qind të ekonomive familjare.
Për kryeshefin e ASK-së, Isa Krasniqi, problem mbesin vetëm katër komunat në veri të Kosovës, të cilat deri tani nuk i janë përgjigjur projektit të Regjistrimit të Bujqësisë, sepse, siç tha ai, procesi i punës në 34 komunat e Kosovës po shkon ashtu siç është pritur nga kjo agjenci.
ASK sot është në ditën e 17-të të projektit të Regjistrimit të Bujqësisë. Regjistrimi pritet të përfundojë këtë të enjte, më 20 nëntor 2014./k.s/