PRISHTINË, 29 Qershor /ATSH-B. Jashari/ -Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel të raundit të 27-të në nivel të lartë kryeministror, të nisura sot në mëngjes, janë ndërprerë pasdite për arsye të obligimeve të ndërmjetësueses, përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederica Mogherini, ndërsa do të vazhdojnë në mbrëmje.
Shefja e diplomacisë evropiane, Mogherini, fillimisht takoi veçantë delegacionin kosovar, e pastaj delegacionin serb, para takimit të përbashkët trilateral.
Pas takimit me Mogherini, nga kryeministri kosovar Isa Mustafa nuk ka patur ndonjë deklaratë, ndërsa sipas mediave të Beogradit, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se "pret ditë të gjatë dhe të rëndë në Bruksel".
Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialogun për të njëjtat tema si në 23 qershor edhe sot në Bruksel, në raundin e dytë kryeministror brenda një jave, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
"Bashkësia e komunave serbe" në Kosovë, renditej e para nga "katër temat" e raundit të 26-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd. Media në Serbi ka renditur të dytën "energjetikën", të tretën "telekomunikacionin" dhe të katërtën "Parkun e paqes" siç e quajnë barrikadën në urën kryesore mbi lumin Ibër të qytetit të Mitrovicës, që ndanë veriun me shumicë serbe nga jugu me shumicë shqiptare. /a.ke/