/ATSH-B.Jashari/.-Kosova dhe Serbia në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, pritet të vazhdojnë pas një muaji, në fillimin e shkurtit, takimet në nivel të lartë mes kryeministrave, sipas paralajmërimeve që janë bërë në Prishtinë dhe në Beograd.

Në mbledhjen e parafundit të qeverisë së Kosovës, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, duke njoftuar për vizitën në Strasburg dhe Bruksel, të parën si drejtues i posteve të reja pas zgjedhjes së qeverisë së re, paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve në nivel të lartë Prishtinë-Beograd. "Kemi diskutuar edhe për vazhdimin në Bruksel të dialogut Kosovë-Serbi në nivel të lartë politik, dhe nga ajo që është konfirmuar pritet të ndodhë në fillim të shkurtit në nivel kryeministrash me ekipet e tyre", theksoi Thaçi, pas kthimit në Prishtinë.

Paralajmërimi për takimin e ri, të 24-të, të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, vjen edhe nga kryeqyteti serb, Beogradi. "Presim që takimi të zhvillohet më 9 shkurt", citon sot shtypi kosovar zyrën për media të qeverisë së Serbisë.

Do të jetë ky takimi i parë mes kryeministrave të rinj, të Kosovës Isa Mustafa dhe të Serbisë Aleksandar Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve të zhvilluara vitin e kaluar në të dy shtetet.

Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar 23 raunde takimesh në nivel kryeministrash në Bruksel, së fundi në 31 mars - të tretin në vitin 2014.

Atëherë kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç (aktualisht ministra të jashtëm) zhvilluan takimin e parë në 19 tetor të vitit 2012, gjatë të cilit kishte tre raunde.
Në vitin 2013, kur janë zhvilluar 17 raunde, Thaçi dhe Daçiç kanë nënshkruar në Bruksel, në 19 prill, Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të vlerësuar historike.