PRISHTINË, 19 Dhjetor/ATSH/.- Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të thellohet edhe më tej përmes politikave e projekteve konkrete, tha sot ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, në një takim me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, të cilin e uroi për marrjen e detyrës.
Njoftimi i dërguar nga ministria bën të ditur se, ministri Shala ka vlerësuar se Shqipëria e Kosova kanë pasur bashkëpunim të vazhdueshëm në fushën e kulturës, sportit, rinisë dhe trashëgimisë kulturore.
Ai gjithashtu theksoi se ky bashkëpunim duhet të rritet në të ardhmen.
Ministri ka ofruar mbështetjen e tij në lidhje me zhvillimin dhe koordinimin sa më të mirë të bashkëpunimit përtej organizimeve të përbashkëta si dy vende, në mënyrë që ato të ndikojnë në prezantimin sa më të mirë të kulturës shqiptare në përgjithësi./b.j/ m.m/