PRISHTINË, 4 Dhjetor/ATSH/.- Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për sigurimin e automjeteve do të vlejë vetëm për të dyja shtetet, të cilat me nënshkrimin e marrëveshjes do të njohin kartonat për sigurimin e automjeteve të njëra tjetrës dhe se nuk ka të bëjë me kartonin e gjelbër, tha zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, njëherësh kryenegociatore në dialogun teknik të Brukselit, Edita Tahiri, me rastin e përgatitjeve të fundit për arritjen e marrëveshjes për sigurimin e automjeteve.
Tahiri thotë se "kjo marrëveshje mundëson uljen e tarifave të sigurimit të automjeteve për qytetarët e të dyja shteteve, të cilat deri më tani janë ngarkuar padrejtësisht me tarifa të larta, që për pasojë ka vështirësuar lëvizjen e lirë për qytetarët".
"Tani jemi në pritje të konfirmimit nga pala e Serbisë për të proceduar pastaj me nënshkrimin e saj në Bruksel. Marrëveshja do të nënshkruhet nga të tre palët, Kosova, Serbia dhe Këshilli i Byrove, ku roli i Këshillit të Byrove do të jetë si garantues i zbatimit të drejtë të marrëveshjes dhe njëkohësisht do të luajë rolin e arbitrit në rastet kur paraqitet nevoja. Duke pasur parasysh se janë krijuar disa konfuzione në opinion publik, dëshiroj të sqaroj se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për sigurimin e automjeteve nuk ka të bëjë me kartonin e gjelbër. Kartoni i gjelbër është një çështje që trajtohet në relacionin mes Kosovës respektivisht Byrosë Kosovare për Sigurime dhe Këshillit të Byrove me seli në Bruksel dhe se këto dy procese janë të ndara", tha Tahiri.
Tahiri thotë se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është një standard evropian i lidhur me obligimet e Marrëveshjes së Brukselit për normalizim, i cili sipas saj, do ta forcoj bashkëpunimin mes Byrosë Kosovare për Sigurime dhe Këshillit të Byrove Evropiane./KosovaPress/k.s/