Një vrasje e dyfishtë e veshur me mister ka tronditur sot Gjilanin në Kosovë. Një grua dhe vëllai i saj, rreth të tridhjetave, janë vrarë me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur rëndë. Për krimin dyshohet bashkëshorti i gruas, i cili më pas është vetëdorëzuar në polici.
Mediat kosovare e identifikojnë të dyshuarin si Valon Ramushi dhe viktimat si bashkëshortja e tij, Nafije, dhe kunati, Egzon Bugujevci. Ngjarja u raportua rreth orës 14:25, por ende nuk është zbardhur se çfarë e shkaktoi përplasjen dhe si u zhvilluan të shtënat.
Sipas rrëfimit të një dëshmitari për Klan Kosovën, çifti ndodhej në një makinë, ndërsa vëllai i gruas bashkë me personin tjetër të identifikuar si Mazllum Bogujevci, në një makinë tjetër. Ramushi dyshohet se ka dalë nga automjeti, është afruar te makina e familjarëve të bashkëshortes dhe ka qëlluar kunatin, duke e lënë të vrarë në vend. Më pas ka plagosur edhe personin tjetër që në disa media raportohet si xhaxhai i tyre dhe në disa si vëllai. .
Pas të shtënave, sipas dëshmitarit, Ramushi e ka dërguar vetë bashkëshorten në urgjencën e Spitalit të Gjilanit. Gruaja, e cila solli në jetë një djalë 6 vjet më parë, mbërriti pa shenja jete në spital, ndërsa mbetet e paqartë se në çfarë momenti është qëlluar ajo.
Më pas Ramushi është dorëzuar në polici bashkë me armën e përdorur në krim.
Personi i plagosur është transferuar nga Spitali i Gjilanit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, tha se gjendja e tij mbetet e rëndë.
Krimi ka sjellë reagime nga institucionet dhe organizatat për të drejtat e grave. Rrjeti i Grave të Kosovës kërkoi hetim të plotë dhe theksoi se asnjë konflikt apo mosmarrëveshje nuk e justifikon marrjen e jetës së një gruaje.
“Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, ndaj së cilës institucionet duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe pa vonesa”, thuhet në reagimin e organizatës.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi zbardhjen e të gjitha rrethanave përmes një hetimi të paanshëm dhe profesional, si dhe mbështetje për familjet e prekura.
Ndërsa ish-presidentja Vjosa Osmani kërkoi përgjegjësi për çdo dështim institucional në parandalimin e dhunës.
“Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen. Kërcënimet nuk duhet të përfundojnë në arkiv, e dhuna nuk duhet të përfundojë në varreza”, shkroi ajo. “Veprim, jo fjalë. Asnjë jetë më pak! Asnjë justifikim më shumë!”
Presidentja Justina Shiroka Pula shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe kërkoi që organet e drejtësisë të zbardhin ngjarjen e të sjellin përgjegjësit para drejtësisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Fotot e siguruara nga Shqiptarja.com tregojnë një familje të devotshme myslimane dhe një çift që shfaqej i lumtur, shumë larg tragjedisë që tronditi sot Gjilanin. Në pamje, Valon Ramushi dhe bashkëshortja e tij, Nafije Bogujevci, shihen në momente normale familjare, të buzëqeshur e krah njëri tjetrit, ndërsa gjashtë vite më parë u bënë prindër të një djali. Ramushi shpesh shprehte dashuri për familjen e tij në rrjete sociale me postime të tilla.
"Në të vërtetë familja është ajo si ju e bëni atë. Është e fortë, jo nga numri i krerëve në tavolinën e darkës, por nga ritet që ndihmoni familja t’i realizojë, nga kujtimet që ndani, nga ndarja e kohës suaj, kujdesi, dhe nga dashuria që shfaqni për njëri tjetrin, dhe nga shpresat për ardhmërinë që do të keni si individë dhe si tërësi. I love you my family"
Sot, Ramushi dyshohet se vrau nënë e djalit të tij në një prej ngjarjeve më të rënda në Kosovë. Pas ngjarjes, ai u vetëdorëzua në polici bashkë me armën, ndërsa motivet e krimit mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve.
Ramushi raportohet të jetë një sipërmarrës i njohur në zonën e Gjilanit, që ushtron aktivitet kryesisht në sektorin e ndërtimit. Sipas mediave në Kosovë, ai është pronar i biznesit “Loni Therm”, ndërsa në regjistrin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës figuron një subjekt me emrin “Valon Ramushi B.I.”, me emër tregtar “N.T.P. Loni-Therm”. Po sipas mediave kosovare, ai zotëron edhe një lagje banimi në Makresh.

Këta janë Nafije dhe Egzon Bogujevci, motër e vëlla, që sot humbën jetën tragjikisht për motive ende të panjohura në Livoq të Gjilanit. Ata dyshohet se u vranë nga Valon Ramushi, bashkëshorti i Nafijes, një biznesmen i njohur i zonës. Ata raportohet se ishin rreth të tridhjetave dhe jetonin në një fshat të Gjilanit në lindje të Kosovës. Hoxha Bashkim Bajrami i ka përshkruar ata si besimtarë që faleshin rregullisht.
“Egzoni dhe motra e tij ishin besimtarë namazli të rregullt. Egzoni sot e fali namazin e xhumasë në xhaminë tonë, ku dëgjoi hytben time për herë të fundit. Lus Allahun e Madhërishëm t’i mëshirojë të dy, t’ua falë gabimet dhe t’i shpërblejë me Xhenet. Allahu familjes së tyre dhe të gjithë të afërmve u dhëntë sabër e i rrite fëmijët e motrës të ndjerës e ju t’ju jep forcë për ta përballuar këtë dhimbje të rëndë. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”, ka shkruar hoxha i njohur nga Gjilani.”, ka thënë Bajrami.
Ende mbeten mister arsyet që çuan Ramushin drejt aktit ekstrem të vrasjes së Nafijes, e cila 6 vjet më parë ishte bërë nënë e një djali.











Komente
Komento