Kryetari Veseli takoi drejtoren ligjore të EBU-së znj Jane Vizard
PRISHTINË, 3 Mars /ATSH/ -Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim drejtoren ligjore të EBU-së (Rrjeti i Transmetuesve Publikë Evropian), Jane Vizard.
Veseli e falënderoi Vizard për mbështetjen e madhe sidomos në ekspertizën që EBU-ja i ka dhënë në vazhdimësi RTK-së, në funksion të zhvillimit të saj si një transmetues publik, i pavarur nga interesat politike dhe në shërbim të publikut.
Kryetari Veseli theksoi se, Kuvendi i Kosovës dhe ai, si drejtues i këtij institucioni, kanë gjithë përkushtimin e duhur që të mbështesin zhvillimin e mëtutjeshëm të RTK-së, duke filluar me draftimin e ligjit të ri për RTK-në, si dhe procesin e digjitalizimit të mediave, proces i domosdoshëm në kuadër të sfidave të reja teknologjike./b.j/ /gj.m/f.n/