TIRANE- Akademiku Kosta Barjaba, flet sot për për “Shqiptarja.com” rreth fenomenit të vetëdjegies, që nga lashtësia e deri në ditët tona. Gjithashtu qi trajton edhe problemet sociale që lidhen nga mungesa e zhvillimit të qëndrueshëm për sa i përket sistemit të mbrojtjes shoqërore
 
Shumë kohë më parë akti i vetëdjegies kryehej në bazë të një konceptimi ideologjik apo moral për të protestuar kundër një pakënaqësie jomateriale. Vitet e fundit ka qenë një protestë kundër pakanaqësive ekonomike.
Vetëdiegja është një formë vetëvrasje. Vetëvrasja si një ngjarje shoqërore qëndron në themel të studimeve sociologjike. Vetëdiegia, si një dhënie fund jetës në mënyrë sublime, është një nga format më të dhimbshme. Rrethanat dhe motivet që çuan njerëzit në vetëdiegje kanë qenë të ndryshme. Shpesh herë ka qenë si një “urdhër” i jashtëm që i vinte individit nga komuniteti, me rregulla të forta dhe antinjerëzore (sipas konceptimit të kohëve tona), ku ai bënte pjesë.

Ky “urdhër” vinte nga një x person i komunitetit apo nga ideologjija?
Ishin nga filozofia e ndërtimit të komunitetit dhe e raporteve që ky komunitet kishte ndërtuar me botën dhe me pjesëtarët e vet. Në këtë kuptim “urdhri” i brendshëm për t’u vetëdjegur vinte nga jashtë. Ndërsa, me kalimin e kohës, vetëvrasja, por edhe vetëdjegia, si një formë e saj po merr gjithmonë e më shumë një natyrë individuale, që shpreh raportet e prishura të individit me kontekstin ku jeton, që vjen kryesisht nga varfëria, nga pesimizmi social, nga padrejtësitë sociale, nga mungesa e humanizmit etj. Pra vetëdjegia shpreh një revoltë të brendshme sublime të individit ndaj asaj që ai e koncepton të padrejtë dhe të papranueshëm për të si edhe për kontekstin ku jeton.

Pra, ky njeri që vetëdigjet, për arsyet e lartpërmenduara, në bazë të botëkuptimit të tij nuk e koncepton dot të “hakmerret” ndaj dikujt tjetër, duke zgjedhur këtë formë të dhimbshme vetëvrasjeje?
Po. Këtu kemi një fenomen kur njeriu e ndan veten nga të tjerët, në kushtet kur ai është i pafuqishëm për të ndryshuar rrethanat që e çojnë drejt vetëdjegies. Në këtë mënyrë ai ndërmerr një akt për t’u ndarë nga e keqja, duke i dhënë fund jetës në këtë mënyrë sublime. Në këtë rrugë lëshon mesazhe të fuqishme.

Sa është në gjëndje shoqëria t’i lexojë këto mesazhe?
Kjo lidhet edhe me aftësinë e shoqërisë për të parandalur një fenomen të tillë (vetëdjegia). Njerëzit e kanë ndërmarrë këtë akt edhe në momente të rëndësishme historike, tragjike për vendin e tyre, për komunitetin e tyre, për familjen e tyre por edhe në momente dëshpërimi të thellë për veten e tyre. Pra, paaftësia për të ndryshuar rrethanat dhe vendosshmëria e tyre për ta refuzuar të keqen, padrejtësinë, i çon në këtë akt. Ndërkaq vetëdiegia po urbanizohet

Çdo të thotë kjo gjë?
Do të thotë që po bëhet një element i jetës së përditshme, jo siç thashë pak më parë nga urdhrat sublime.

Këtu flitet në rang botëror?
Po. Dhe kjo ndodh sepse bota po bëhet gjithmonë e më e thyeshme.

Në çfarë kuptimi “më e thyeshme”?
Në kuptimin që individi jeton në kontekste dhe në mjedise që ai i koncepton gjithmonë e më të pasigurta. Jo vetëm në kuptimin fiziko-gjeografik por edhe në kuptimin social, kulturor si dhe ekonomik. Sa më shumë që njerëzit jetojnë në një kontekst të padrejtë aq më shumë ata priren të kryejnë akte të tilla vetëvrasjeje. Por kjo lidhet edhe me rrethanat e kulturat individuale, me kontekstet familjare etj. Ndërkaq, vetëdjegia po ndodh si një reagim ndaj padrejtësive sociale në jetën e përditshme.

Në Shqipëri, edhe pse kanë ndodhur 4 raste vetëdjegie brënda një vit, kemi ndonjë studim sociologjik lidhur me këtë?
Në kudarin e studimeve të thelluara sociologjike, në Shqipëri nuk kemi raste studimore as për vetëdjegien e as për vetëvrasjen. Kjo tregon pavëmendjen e shoqërisë, të institucioneve si edhe të jetës akademike ndaj një dukurie që po bëhet pjesë e skenarëve të jetës së njerëzve.

Ka pasur raste vetëdjegie më parë?
Mund të kemi pasur raste edhe më përpara, por ne nuk jemi në dijeni. Këto rastet e 4 vetëdjegieve janë bërë të njohura nga fluksi i madh mediatik që ekziston sot si edhe e transparencës së episodeve të jetës së përditshme në shoqëri.

Ju folët për thyeshmërinë e individit për arsyet socialo-ekonomike të lartpërmendura. Çfarë politikash duhet të ndjekë shteti për të shmangur këto ngjarje të rënda të shoqërisë, siç është vetëdjegia, duke i rikthyer besimin tek rendi shoqëror?
Unë nuk jam me faktin se shteti duhet ta ndjekë individin gjatë gjithë ciklit të tij të jetës, lidhur me çfarë ai bën, që kur lind e deri kur jeta e tij mbaron. Shteti funksion për të krijuar disa rrjeta të mbrojtjes shoqërore të individit dhe ka një detyrim ligjor, kushtetues, njerëzor por edhe institucional të ndërtojë këto rrjeta mbështetëse, në mënyrë, që njerëzit gjatë momenteve të ndryshme të jetës, kur bien në situata të vështira si varfëria, dëshpërimi, mungesa e strehimit, papunësia , të qënurit i vetmuar të kenë përkrahje. Pra shteti duhet të krijojë rrjeta të ndryshme sociale, në mënyrë që njerëzit t’i ndjejnë sa më pak pasojat e veprimit të rrethanave dhe situatave, për të cilat ata nuk janë përgjegjës. Por në një shoqëri si kjo e jona, që është në një tranzicion të pafudmë, nuk i është kushtuar vëmendje ndërtimit të rrjetave shoqërore. Ne nuk kemi arritur të ndërtojmë një sistem mbrotje shoqërore që ta shpëtojë individin nga gjëndjet e lartpërmendura. Mund të themi se vetë sistemi ynë i mbrotjes shoqërore është i pambrojtur.

Në çfarë kuptimi doni të thoni i pambrojtur?
Në kuptimin që sistemi i mbrotjes shoqërore nuk është ushqyer nga një model apo një zhvillim ekonomik që ta furnizojë me burime për të ndërtuar kolonat e mbrojtjes shoqërore për individin. Pra gjithë çfarë po ndodh në Shqipëri me individin, në familje, me komunitetet, me të varfërit, me të papunët etj është pasojë e faktit se kolanat e sistemit të mbrojtjes shoqërore janë gati të rrënuara, të amortizuara. Gjithashtu ka edhe diçka. Ne kujtohemi për fatin e një njeriu kur e humbasim. Ne kujtohemi për një të papunë kur ai bëhet problem për shoqërinë, ne kujtohemi për të varfërit kur ata bëhen një problem për shoqërinë dhe nuk dinë cfarë të bëjnë. Përgjithësisht sitemi ynë i mbrojtjes shoqërore bazohet mbi formën e zgjidhjeve të problemeve në momentin që ato lindin, pra aty për aty, dhe jo të ndërohet një sistem politikash parandaluese, në mënyrë që t’i shmangim problemet sociale.

Shkrimi u publikua sot (2.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)