Dokumenti që sjellim sot për lexuesit daton me 10 shkurt 1972 dhe është hartuar në Institutin e Gjuhës e të Letërsisë nga Androkli Kostallari, me titullin “Mbi organizimin e konferencës kombëtare për drejtshkrimin”.
Dokumenti zbulon gjithë fushatën e ndërmarrë që në vitin 1967 për projektin ambicioz të regjimit për “njësimin e gjuhës letrare kombëtare”. Sipas Kostallarit në 1967 ën institutin e gjuhësisë dhe letërsisë u krijua grupi i kulturës së gjuhës, me detyrë kryesore studimin e problemeve të drejtshkrimit të shqipes, ndjekjen e zbatimit të tij në të gjitha botimet, klasifikimin e vërejtjeve të bëra gjatë diskutimeve dhe krijimin e kartotekës së drejtshkrimit të shqipes, e cila sipas Kostallarit lejonte që çështjet deri atëherë të diskutueshme, të zgjidheshin duke u mbështetur mbi një bazë më objektive e të plotë se më përpara.
Në këtë projekt ishte përfshirë edhe Kosova, ku që prej 1968 kishte nisur përdorimi i gjerë i shqipes letrare.
Pasi ka theksuar se ky projekt nuk ka hasur kundërshtime lokaliste, Kostallari propozon mbajtjen në muajin dhjetor të 1972 të Konferencës Kombëtare për Drejtshkrimin. Pas Konferencës Kostallari parashikonte edhe ngritjen e një komisioni të drejtshkrimit, i cili do të bënte ripunimet e fundit të projektit gjatë tremujorit të parë të vitit 1973.
“Pas kësaj “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”, të hartuara në trajtë përfundimtare, mendojmë se duhet të bëhen të detyrueshme për t’u zbatuar kudo me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave”, shkruan Kostallari.
Bën përshtypje në këtë dokument planifikimi preciz i të gjithë etapave pothuaj që një vit më parë, që nga diskutimet, mbajtja e Kongresit, miratimi dhe zbatimi i detyrueshëm me vendim qeverie i rregullave të drejtshkrimit.
Në vijim, numrin e ardhshëm, do të sjellim një tjetër material me interes mbi këtë temë, tashmë, pas përfundimit të Kongresit.
Më poshtë sjellim të plotë dokumentin e hartuar nga Androkli Kostallari në shkurt të 1972.
Mbi organizimin e konferencës kombëtare për drejtshkrimin
Më 1967, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë botoi Projektin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes, i cili u prit në mënyrë shumë të favorshme dhe u vlerësua nga opinioni shoqëror e shkencor i vendit, si një kontribut me rëndësi në njësimin e gjuhës letrare kombëtare. Rreth këtij projekti, që u botua në 25.000 ekzemplarë, është zhvilluar dhe vazhdon të zhvillohet një diskutim i gjerë popullor. Në gazetën “Mësuesi”, në revistën “Studime filologjike” dhe në organe të tjera qendrore ose të rretheve janë botuar shumë artikuj të vlefshëm. Komisioni i drejtshkrimit, në bashkëpunim me seksionet e arsimit, ka organizuar në 14 rrethe të vendit diskutime të gjera me arsimtarët e me punonjës të tjerë të sektorëve të kulturës, për të njohur drejtpërdrejt mendimet, vërejtjet dhe dëshirat e masës së mësuesve rreth këtij projekti. Janë organizuar diskutime edhe me kolektivat e shtëpive botuese e me institucione të tjera.
Nga diskutimet e zhvilluara vihet re me kënaqësi se parimet themelore, mbi të cilat është ndërtuar projekti dhe zgjidhjet e problemeve më të rëndësishme të drejtshkrimit të shqipes janë miratuar në mënyrë të njëzëshme. Vërejtjet e bëra, përgjithësisht, nuk kanë karakter parimor, por lidhen me rregulla e çështje të veçanta ose mbështetin njërën prej dy zgjidhjeve paralele që ka dhënë komisioni në disa raste. Janë bërë gjithashtu propozime për të zgjidhur edhe një varg çështjesh që nuk janë trajtuar në projekt.
Duke vlerësuar rëndësinë e madhe shkencore e shoqërore që ka hartimi i një drejtshkrimi të njësuar për gjuhën tonë letrare kombëtare, Drejtoria e Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë krijoi më 1967, grupin e kulturës së gjuhës, të cilit gjatë këtyre viteve iu ngarkua si detyrë kryesore studimi i problemeve të drejtshkrimit të shqipes, ndjekja e zbatimit të tij në të gjitha botimet, klasifikimi i vërejtjeve të bëra gjatë diskutimeve dhe krijimi i kartotekës së drejtshkrimit të shqipes. Kjo kartotekë lejon që çështjet deri tani të diskutueshme, të zgjidhen duke u mbështetur mbi një bazë më objektive e të plotë se më përpara.
Siç dihet, drejtshkrimi është një nga shfaqjet më të dukshme të kristalizimit të normës së gjuhës letrare. Botimi i projektit të drejtshkrimit u bë pikërisht në një kohë kur u thelluan edhe studimet tona mbi gjuhën e sotme letrare shqipe dhe ishte pjesë përbërëse e njëkohësisht rezultat i këtyre studimeve. Pikërisht për këtë arsye ai ndihmoi gjallërimin e zgjerimin e përpjekjeve të përgjithshme për zbatimin konsekuent, përhapjen e saktësimin e mëtejshëm të normës gjuhësore letrare. Në shumë rrethe ka lindur lëvizja për një front unik të gjuhës në shkollë. Kjo lëvizje, që është përkrahur e po ndihmohet sistematikisht nga Instituti i Gjuhësisë, po merr një përhapje gjithnjë e më të gjerë dhe po zhvillohet në forma më të organizuara. Ajo synon si sqarimin teorik të gjendjes së sotme e të prirjeve të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, ashtu edhe zbatimin praktik të normës letrare në të gjitha fushat.
Dalja e projektit të drejtshkrimit dha shkas, ndër të tjera, që edhe në Kosovë çështja gjuhësore të zgjidhjet drejtë. Siç dihet, që nga pranvera e vitit 1968, atje po përdoret me sukses gjuha letrare kombëtare ashtu si te ne dhe po zbatohet kudo projekti ynë i drejtshkrimit. Edhe diskutimet e zhvilluara në Kosovë rreth këtij projekti kanë qenë pozitive dhe me frymë ndërtuese. Është vënë në dukje se projekti është hartuar mbi baza të drejta shkencore dhe kjo ka lehtësuar zbatimin e tij edhe në kushtet e atjeshme.
Gjatë këtyre pesë viteve, zbatimi i projektit të drejtshkrimit nga shkollat, shtëpitë botuese e nga shtypi ka sjellë një rrafshim të përgjithshëm të problemeve drejtshkrimore që kishin mbetur për një kohë të gjatë si të diskutueshme. luhatjet drejtshkrimore që vihen re sot në botime burojnë kryesisht nga mungesa e kujdesit e nga zotërimi i pamjaftueshëm i rregullave dhe jo nga koncepte teorike të kundërta me ato të projektit. Rastet e qëndrimeve lokaliste ndaj zgjidhjes së problemit të gjuhës letrare kombëtare e ndaj drejtshkrimit që pasqyron normat e saj sot janë relativisht shumë të pakta.
Instituti i Gjuhës e i Letërsisë është i mendimit që përpara se projekti të marrë trajtë përfundimtare, komisioni hartues i rregullave të drejtshkrimit t’i parashtrojë opinionit shkencor-arsimor, kulturor e shoqëror vlerësimin shkencor të rezultateve kryesore të diskutimit të gjerë popullor për drejtshkrimin, si edhe argumentimin teorik të parimeve themelore e të zgjidhjeve përfundimtare të çështjeve më të rëndësishme të “Rregullave të drejtshkrimit” në fazën e sotme të zhvillimit të shqipes letrare. Për këtë, Instituti ynë propozon që në muajin dhjetor të këtij viti të thirret Konferenca kombëtare për drejtshkrimin, qëllimi i së cilës do të jetë shqyrtimi dhe miratimi në parim i “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes”. Në këtë konferencë mendojmë që të marrin pjesë punonjës shkencorë të gjuhësisë e pedagogë të USHT, të filialeve të tij në rrethe e të instituteve të larta pedagogjike, arsimtarë të gjuhës e të letërsisë që kanë marrë pjesë aktivisht në diskutimin e projektit të drejtshkrimit dhe që dallohen në lëvizjen për përvetësimin dhe zbatimin e gjuhës letrare në shkollë, punonjës të shtëpive botuese, gazetarë, shkrimtarë, përfaqësues të organizatave shoqërore etj. Mendojmë që në këtë konferencë të thirren edhe 4-5 gjuhëtarë nga shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë. Gjithsej parashikohet që në konferencë të marrin pjesë rreth 200 veta.
Në këtë konferencë do të paraqitet një referat i përgjithshëm mbi problemet themelore të drejtshkrimit dhe do të bëhen diskutime rreth çështjeve më të vështira e më të rëndësishme. Pjesëmarrësit e konferencës do të shprehin mendimin rreth përpunimit përfundimtar të projektit të drejtshkrimit dhe do të sjellin përvojën e tyre lidhur me përvetësimin e zbatimin e projektit në shkollë e në botime. Sipas mendimit tonë, do të ishte e përshtatshme që konferenca të thirrej më 11.12.1972. Ajo mund të vazhdojë 1-2 ditë dhe do të përfundojë me një vendim për aprovimin e drejtshkrimit.
Konferenca kombëtare për drejtshkrimin do të jetë kështu një ngjarje me rëndësi historike në jetën tonë kulturore dhe do të përbëjë hapin e dytë vendimtar në kristalizimin e shqipes letrare, pas Kongresit të Manastirit (1908), që pati si rezultat njësimin e alfabetit.
Pas diskutimit të problemeve themelore të drejtshkrimit në këtë konferencë, komisioni i drejtshkrimit do të bëjë ripunimin e fundit të projektit; kjo punë do të kryhet në tremujorin e parë të vitit 1973. Pas kësaj “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”, të hartuara në trajtë përfundimtare, mendojmë se duhet të bëhen të detyrueshme për t’u zbatuar kudo me një mendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.
Duke çmuar rëndësinë shoqërore-kulturore të një konference të tillë për drejtshkrimin, Instituti i Gjuhës e i Letërsisë është duke marrë masat e nevojshme për organizimin me sukses të saj dhe për gjallërimin e mëtejshëm të interesimit të arsimtarëve, punonjësve të shtypit etj., për problemet e gjuhës letrare. Në këtë punë ai ka mbështetjen e plotë të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës dhe të organeve të arsimit në rrethe. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, nga Instituti ynë do të organizohen diskutime të gjera të projektit edhe në 12 rrethe të tjera, si edhe diskutime më të përqendruara me punonjësit shkencorë e mësimorë të shkollave të larta, të shtypit e të botimeve. Krahas kësaj do të zgjerohet edhe puna sqaruese për problemet e gjuhës letrare kombëtare, qoftë me seminare të gjera shkencore në rrethe, qoftë me anë të shtypit.
Pa dyshim, pas botimit të “Rregullave të drejtshkrimit” do të jetë e nevojshme të organizohet një punë e gjerë me arsimtarët e me punonjësit e botimeve për zotërimin e plotë e të shpejtë të këtyre rregullave. Programi i kësaj pune mendojmë se duhet të realizohet nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës me ndihmën e drejtpërdrejtë të Institutit të Gjuhës e të Letërsisë dhe të shkollave të larta të vendit tonë.
Lutemi të na jepen miratimi dhe sugjerimet tuaja për këtë aksion të rëndësishëm politik e kulturor.
Redaksia online
a.n shqiptarja.com