Kostot e fortifikimit të Shqipërisë me bunkerë, qendra zjarri etj… Esencë-Report TV

I ftuar në Esencë, Dedë Prenga, xhenier, ish këshilltar presidenti, aktualisht Gjeneral në Rezervë. Ai tregoi fortifikimin e Shqipërisë me qendra zjarri e të tjera, përse dhe si, a ka patur teprim fortifikimi në Shqipërinë moniste? Xhenierët e aftë, vështirësitë e punës me politikën, etj, këto dhe shumë të tjera në Esencë, çdo të premte dhe të diel, ora 21:00 në ekranin e Report Tv.

Eljan Tanini: -Si merret “Grada Gjeneral”?

Dedë Prenga: -“Grada Gjeneral” jepet pasi propozohet nga një komision ekspertësh specialistë në Ministrinë e Mbrojtes, Ministri i Mbrojtjes e bën propozimin te Presidenti i Republikës i cili është edhe Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dhe në përputhje me ligjin bën dekretimin.

‘’Gjeneral Brigade’’, gjenerali me një yll siç ne e quajmë është tre vite në pritje. Pas 3 vitesh kalon në një komision që vlerëson të gjitha aftësitë që i kalojnë presidentit për dy yje. Nëse nuk përputhen, të gjithë këta dalin në rezervë. Ndahen në aktivë dhe në rezervë.

Eljan Tanini: -Sa gjeneralë aktiv ka sot Shqipëria?

Dedë Prenga: -Bëhet fjalë për rreth 11 gjeneralë në përputhje me numrin aktiv të trupave të Ushtrisë Shqiptare, nëse duhet të jetë apo jo i tillë, edhe me ata që ne përfaqësohemi në NATO, shkon te 11-12.

Eljan Tanini: -Sa gjeneralë në rezervë kemi sot?

Dedë Prenga: -Ka filluar që në vitin 1994, duhet të jetë rreth 30-40. Kur nuk e merr gradën e radhës, del në rezervë ose në pension. Për arsye të eksperiencës apo lidershipit, vlerësohet nga ministri nëse ai do të kthehet apo jo në detyrë në rast nevoje, për situta konflikti apo emergjencash.

Eljan Tanini: -Në Ushtrinë Shqiptare puna juaj ka qenë e lidhur me xheniot, ndërkohë keni punuar edhe si Këshilltar i Presidentit Meta. Ka qenë e vështirë të punoje me të?

Dedë Prenga: -Me të gjithë pjesën politike, kryesisht pas viteve 90, është e vështirë të punosh! Ata e bëjnë ekspertin pasi mendojnë se dinë çdo gjë. Ekspertët ushtarakë, lidershipi ushtarak është i spostuar nga kopetencat dhe përgjegjësitë që duhet të ketë, ka rreth 30 vite. Nuk realizohet e gjitha kjo nëse i jep përgjegjesitë dhe jo kompetencat. Meta më ka mirëkuptuar për disa gjëra! Nuk është e lehtë, as nuk ka qenë e lehtë të punosh, por ka një vështirësi edhe te pjesa politike siç është parlamenti.

Si mund të jetë Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura që është thjeshtë një person që nënshkruan dhe miraton gradat? Presidenti si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura është thjeshtë një noter që i bën propozimet Ministri i Mbrojtjes për grada madhore apo dalje në rezervë për gradën e Gjeneralit. Ka raste ekstreme kur një Gjeneral është në detyrë dhe nuk është në detyrë, ushtarak aktiv por jo në marrëdhënie pune. Ligji 642014 i shkarkon, kam qendruar 11 muaj në dispozicion, ligjërisht nuk duhet të punoja. Unë jam dhe kam qenë i gatshëm.

Ne kemi qenë kur u diskutua Drafti i Sigurisë Kombëtare, na thirri Niko Peleshi, sepse vetëm ushtarakët mund ta japin ekspertizën më të mirë se ata. Kemi eksperiencën dhe njohuritë. 

Eljan Tanini: -Ju gjeneral jeni edhe xhenier, para viteve 90 çfarë keni bërë kryesisht?

Dedë Prenga: -Përpara viteve 90, kur jam diplomuar në vitin 1982-1983, ka qenë kulmi i fortifikimit, unë kam patur fatin e mirë te punoj ne verilindje. Kjo ka qenë një pjesë kur shteti e ka menduar se rreziku mund të vinte më shpejt nga ajo anë.

Eljan Tanini: -E keni njohur Tunelin Nëntokësor të Kukësit?

Dedë Prenga: -Kam patur informacion, pasi është i vetmi qytet në Shqipëri ku mund të strehoet i gjithë qyteti, tani nuk është më në atë gjendje, nuk është mirëmbajtur më. 

Eljan Tanini: -E kemi kaluar ne masën me fortifikime?

Dedë Prenga: -Po e kemi kaluar. Ne nuk u mjaftuam me një batalion, ne qendruam dhe u hapëm sipas hapësirës, aq sa mbante ajo.

Eljan Tanini: -A kanë dhe a janë efikase të gjitha këto?

Dedë Prenga: -Nëse marrim një situatë hipotetike lufte, situta e trazuar e të tjera, unë them që janë efikase. Këtë e ka treguar edhe vetë lufta. Unë i bëj thirrje publike, AKMC (AGJENSISË KOMBËTARE TË MBROJTJES CIVILE), e cila duhet të evidentojë këto strehime në raste emergjencash. Qytetari duhet ta dijë se ku duhet të shkojë. Nuk më vjen mirë si ushtarak kur Forcat e Kosovës vinë në ndihmë dhe paraqesin elemente shumë më të lartë se forcat respektive që kemi ne këtu. Ne kemi mbi një shekull pavarësi dhe shtet, ata kanë 16 vjet shtet!

Eljan Tanini: -Sa qendra zjarri janë ndërtuar në Shqipëri?

Dedë Prenga: -Ka qenë një nr kolosal, janë projektuar mbi 750.000. rrethuam veten si fillim, pastaj të tjerët që i quajtëm armiq. Janë ndërtuar rreth 165.000 Qendra Zjarri të tipeve dhe llojeve të ndryshme. Është bërë një punë e madhe nga ushtari e deri më sipër, institutet dhe zbatimi i fundit te ne. 

Eljan Tanini: -Qendrat e zjarrit janë bunkerët, kur ndërtoheshin ato, në cilat stinë?

Dedë Prenga: -Dimër verë, por kanë patur disa karaktere, kripa, betoni që nuk duhet të ngrijë në dimër. Këto ndërtime I bënin ndërmarrjet e specializuara  me markë të lartë betoni që nis nga 250 e sipër. Rasti I tuneleve në ujë si Portopalermo, Shëngjini, Aeroporti I Kuçovës dhe Gjadri, pa folur për përmiresim infrastrukture. Profesorët na thonin në shkollë që xhenieri gabon vetëm një herë, si ata në Lituani, shqiptarët tanë që të dy gjatë një procesi në Batalionin Kanadez, gjatë demontimit jemi njohur edhe në lajme.

Eljan Tanini: -Sa e kishte shumën një qendër zjarri, sa harxhohej për të?

Dedë Prenga: -Një Qendër Zjarri e përllogaritur me shumën  e kohës, ishte 25-33 mijë lekë, ose një hyrje një plus një. Këtu ka shkuar një sasi e madhe e buxhetit shqiptar, mbrojtja kalonte 20 përqind të buxhetit të shtetit të asaj kohe! Për betonimet nën ujë të kripur, çimento vinte nga jashtë, ishte shfrytëzim i hekurit dhe çimentos më cilësore. Janë futur edhe kafshë në qendra zjarri për të mbajtur një bombë aviacioni deri në 250 kg, e më pas ajo nuk ka pësuar asgjë sepse kishte cilësi shumë të lartë

Eljan Tanini: -Janë dënuar njerëz për mos kryerjen e rregullt të kësaj pune?

Dedë Prenga: -Po njësoj si në industri.

Eljan Tanini: -Ngarkesat i mbanin ushtarët?

Dedë Prenga: -Ushtarët, populli, civilët e punësuar gjithashtu në forcën ushtarake. 

Eljan Tanini: -Qendrat e zjarrit derdheshin në vend?

Dedë Prenga: -Vinin në vendin përkatës, hapej rruga. Ndërsa qendrat e zjarrit alpine, ato me feta portokalli siç i njeh populli, betonoheshin poshtë dhe ushtari i merrte të gjitha për të bërë montimin në majë të malit.

Eljan Tanini: -Sa kohë merrte një Qendër Zjarri për t’u ndërtuar?

Dedë Prenga: -Varet, ne e kishim të planifikuar. M11 ose M22, i hapej gropa me skavator dhe me pas montohej. Bënim në ditë nga 4 deri ne 10 të tilla. Kemi patur raste fatale në humbje jete nga pakujdesia. Ish drejtori i madh i Xhenios ishte vetë pa gishta, xhenieri gabon vetëm një herë, kjo ishte parrulla jonë e kohës.  Demontimi është shumë me rrezik të madh. Në vitin 1997 në Selicë të Burrelit, u shemb tuneli dhe zuri 23 vetë brenda nga gabimi njerëzor, ishin të gjithë nga i njëjti fshat. Mund të këpusësh një gisht e një dorë por jo të marrësh jetë njerëzish. 

Eljan Tanini: -A keni menduar ndonjëherë se gjatë punës suaj keni punuar kot?

Dedë Prenga: -Unë mendoj që nuk e përkufizojmë dot nëse ishte punë koti. Janë diskutuar nga ekspertët, drejtuar edhe nga eksperienca botërore, sidomos nga lindja.  Të gjitha këto fortifikime, gabimi për mua do të thosha që ishte kur ne e kaluam masën. E kuptonim, por nuk e shprehnim dot sepse shoku mund të ishte personi që niste informacionin. Frika ruante vreshtin.

Në një konferencë Unë nuk e them dot më tha personi në fjalë që ishte nga një vend kufitar me ne sepse kam një tjetër aty pranë meje që mund të mbajë edhe shënime për mua. Unë në atë kohë isha në struktura ushtarake ndërkombëtare në atë kohë. 

Eljan Tanini: -Ju keni ndërtuar tunele edhe nga ato që vendosën topat, psh si ai i Saukut… ose në Karpen të Kavajës?

Dedë Prenga: -Ato nga deti quhen pozicione zjarri të artilerisë bregdetare, gjuatja e topave dhe predhave tona shkonte deri në 27 km. Në zonën e Shkodrës nuk ka patur të tilla, më shumë në Adriatik nga Durrësi e pak më gjerë. 

Eljan Tanini: -Po Dajti pse është i pasur me tunele etj?

Dedë Prenga: -Dajti jo, Vora është e pasur me tunele, për desantë ajror, tanke, forcë tokësore e mjete të blinduara për të bërë aspak të mundur pushtimin e Tiranës. Ka depo municioni, tunele, ose mbi sipërfaqe të betonuara, vend komandat e strukturave ushtarake, ku Bunkart 1 është vend komande strukture në kushte lufte. Të gjitha luftërat e kanë përcaktuar një në front dhe tre në mbështetje. Kanë qenë 22 divizione dhe dy drejtime me vendkomanda duke lëvizur nga paqja në luftë. Psh: Divizioni i Bajram Currit, vendkomanda ishte në Kryezi të Pukës. Unë kam marrë pjesë në ndertimin e: Depo Municioni, Qendra Zjarri, Depo Karburanti, Pozicione Artilerie të ndryshme deri nga kalibri 75 mm e deri te 122. Një pozicion zjarri vetëm për një top kushtonte sa një pallat me 20 hyrje ose apartamente, e kam ndërtuar unë. Tunelet e nëndetëseve kanë pasur një vlerë të madhe, ato në Gjadër etj… Të gjitha divizionet kanë të tilla. Zyrat kanë qenë të veshura të gjitha me kadife, lëkure etj… Të gjitha kanë qenë me sistem për mbrojtje atomike.

Eljan Tanini: -A ka tunele nëntokësore në Tiranë në Bllok?

Dedë Prenga: -Informacione reale unë nuk kam, janë strehime. I vetmi strehim apo tunel është ai poshtë Ministrisë së Brendshme me daljet e caktuara. Nuk mund të flasim për një rrjet të caktuar tunelesh. Disa prej tyre i ka krijuar Ministria e Brendshme dhe Forcat e Armatosura. Nuk ka rrjet tunelesh që lëviz nën këmbët tona.

Kush është Dedë Prenga?

Dedë PRENGA (27.01.1960-), ushtarak madhor me gradën Gjeneral Brigade, atashe ushtarak, pedagog, Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Këshilltar i Presidentit të Republikës për Sigurinë Kombëtare.

Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes (Gurth-Spaç), pastaj përfundoi Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” (1978) dhe kreu studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin xhenio (1979-82). Ka kryer edhe studimet në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm (1989-1991).

Përveç studimeve dhe kualifikimeve në institucionet arsimore brenda vendit, ka kryer me sukses disa kualifikime e specializime të ndryshme jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, si kursi i Shtabit të Përgjithshëm, Kursi i Lartë për Sigurinë Evropiane dhe kurse të tjera në fushën e sigurisë dhee mbrojtjes.

Ka shërbyer në detyra të ndryshme komanduese e mësimdhënëse, duke vijuar me një karrierë të suksesshme edhe në detyra drejtuese. Pasi ka punuar për 9 vite në Tropojë, përfshi edhe detyrën e komandantit të batalionit të xhenios, ka kryer detyrën e Shefit të Shtabit dhe Komandantit të Bazës së Furnizimit të Ushtrisë në Rrëshen (1992-94), pedagog në Departamentin e Udhëheqjes Ushtarake në Akademinë e Forcave të Armatosura (1996-2005), komandant i batalionit xheniero-ndërtues (2006-2007). Ka shërbyer në struktura ushtarake ndërkombëtare si në SEEBRIG, në Stamboll, Turqi (2008-2011), Shef Shtabi e më pas zëvendëskomandant i Komandës së Doktrinës dhe Sërvitjes (2011-2013), Atashe Ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Federatën Austriake, si dhe Këshilltar Ushtarak pranë Strukturave Ndërkombëtare të OSBE e UN, në Vjenë, Austri (2013-2015), duke përfaqësuar me dinjitet Shtetin Shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura.

Në vitin 2015 ka marrë gradën madhore Gjeneral Brigade dhe ka kryer detyrën e Komandantit të Doktrinës e Stërvitjes, Zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (2016-2018), Këshilltar i Presidentit të Republikës për Sigurinë Kombëtare (2019 e në vazhdim).

Gjatë karrierës së pasur ushtarake, është nderuar me disa urdhra e medalje të ndryshme nga Ministri i Mbrojtjes e Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, si dhe drejtues të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë.

Dedë Prenga është i martuar me Angjelinën,  mësuese. Kanë tre djem, njëri nga të cilët ndjek traditën e babait duke studiuar në Turqi. Prenga njeh gjuhën gjermane dhe atë angleze të nivelit 3.

Marrë nga Enciklopedia e Mirditës.

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lala: 23/09/2024 01:55

    Deda esht Burr Flori DHE kam Respekt vor ja ka fut Pak pordhes per Punen e gradave.gradat e gjeneralit smerren me komision DHE vkeresime.i jep politika Öse blihen.kaq.pervec kudusi lames QE ishte ghenerali I fundit QE e Mori me merit graden gjith te tjeret e Kan blere Öse jau Ka dhene politika DHE I Ka perdorur.po te kishte kritere keto vite bajram bega NGA doktor NUK behej shef shtabi.e pastaj president.nejse.respekte per gjeneral deden si njeri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Rezultatet e para në Pensilvani, Kamala Harris mbi 250 mijë vota para Trump! Demokratët kryesojnë dhe në Kansas dhe Michigan

Rezultatet e para në Pensilvani, Kamala Harris mbi 250 mijë vota para Trump! Demokratët kryesojnë dhe në Kansas dhe Michigan