Gjenerali Dedë Prenga i ftuar në ‘Bota Report’ të moderuar nga Denis Minga, ka deklaruar se arkitektura e sigurisë botërore, pësoi një ndryshim kolosal, ndoshta të paparashikueshëm dhe të papritur në shkurtin e vitit 2022.

“Unë mendoj se shkurti 2022, ndryshoi situatën me sigurinë. Arkitektura e sigurisë pësoi një ndryshim kolosal, ndoshta të paparashikueshëm dhe të papritur. Dhe të gjitha vendet në këtë raport të papërgatitur për të reaguar, edhe me strukturat politiko-ushtarake siç është vetë NATO dhe vende që janë pjesë e këtyre strukturave dhe mbi bazën e statusit të tyre, përfitojnë edhe mbrojtjen nëse kërcënohen”, tha ai.

Ndërsa sa i përket takimit mes Putin dhe Zelenskyt, Gjenerali tha se pala ruse në një mënyrë të njëanshme, nuk pranoi kushtet për vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm.

“Me gjithë përpjekjet e presidentit të SHBA-së Donald Trump, për t’i përafruar palët në një mundësi takimi dhe uljes në tavolinë të ekspertëve, për të arritur një paqe të qëndrueshme. Edhe takimi i Alaskës edhe takimi i ngelur në letër deri në këto momente, që u parashikua dhe në fillim qenë të gjithë entuziast që mund të realizohej në Hungari, pala ruse në një mënyrë të njëanshme, nuk pranoi kushtet për vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm. Mendoj se në këtë kontekst ka ndikuar, mungesa e objektivave të parashikueshëm dhe është marrë armëpushimi si një grupim, forcash që do të rrezikonte shumë herë më tepër dhe do të fuqizonte Ukrainën, e cila do të furnizohej me armatim dhe Ukraina do të rigruponte forcat”, tha ai.

Më tej Prenga tha se fati dhe interesi nuk janë në anën e Ukrainës, pasi nuk ka treguar se është në gjendje që t’i bëjë ballë makinerisë ruse.

“Unë mendoj se fati dhe interesi nuk janë në anën e Ukrainës, pasi nuk ka treguar se është në gjendje që t’i bëjë ballë makinerisë ruse që ka kthyer gjithçka për luftën. Dhe para se ta nisin luftën në vitin 2022, ata e kanë llogaritur çdo gjë në frontin e luftës, jo vetëm me trupa, që është një aspekt, por edhe në pjesën logjistike, siç janë armatimet. Dhe një defekt tjetër i forcave të Ukrainës, ka qenë mungesa në kohë e furnizimeve”, tha gjenerali.

Ndërsa sa i përket dërgimit të raketave Tomahaëk, gjenerali tha se kjo do të ndikonte në acarimin e situatës mes Ukrainës dhe Rusisë, por edhe të Rusisë me vendet e tjera siç është SHBA.

“Kjo është e një niveli shumë të lartë strategjik dhe do të ndikonte në acarimin e situatës mes Ukrainës dhe Rusisë, por edhe të Rusisë me vendet e tjera siç është SHBA. Me siguri”, tha Prenga në Report Tv.