Kostumografi shqiptar që vesh
mbi 90 opera italiane në vit

Kostumografi shqiptar që vesh <br />mbi 90 opera italiane në vit
Babai i Klement Mihalit ka qenë rrobaqepës. “Ishte një rrobaqepës i thjeshtë, por me shumë klientë në qytetin e Beratit. Megjithatë nuk donte të ma jepte zanatin, -thotë ai. Kishte qejf të isha i shkolluar dhe që të kisha një profesion nga më të mirët.” Klement Mihali prezantohet me imazhin e një njeriu inteligjent. Fjalët i ka të kursyera. Edhe pse ka një sukses të admirueshëm nuk lëvdohet. Ai e çmon punën si themel të çdo suksesi dhe përvojën e saj e çmon si shkollën më të mirë. Puna i hapi në Itali ca dyer që s’do t’i kishte ëndërruar kurrë. “Por unë si të thuash ia vodha zanatin babit. Isha natyrë që më shumë më hanë duart për punë, sesa atë rrija gjatë mbi studime. Më pëlqen të lexojë, më pëlqen shumë dhe nuk rri kurrë pa lexuar, por jo shkencat”, thotë në bisedë e sipër. Klementi nuk u shkollua dot me arsim të lartë, sepse në moshën 17-vjeçare në vitin 1994 ai emigroi në Itali. I shtrohet punës në një rrobaqepësi dhe aty i zbulojnë talentin. Duke i bërë oferta njërën pas tjetrës e fusin në rrethin e kostumografëve më të kërkuar. Ia pëlqejnë punët, i japin lëvdata. Por ai thotë se nuk do t’i shijonte dot kurrë lavdërimet edhe pse vesh mbi 90 spektakle operash në vit, që nga “Traviata”, “Rigoleto”, “Trovatore”, “Rustikana”, etj. Që nga ajo kohë ai jeton në Milano me të ardhurat që merr si kostumograf i spektakleve operistike. Së fundi, Klementi ka ardhur në Tiranë për të bërë kostumet e operës “Skënderbeu”. Kjo opera kombëtare e ka bërë atë që me pak sakrifica të vejë e të vijë nga Milano në Teatrin e Operës në Tiranë. Nuk e ka pasur të lehtë të shkëputet nga projektet atje. Nesër i duhet të shkojë. Por, thotë se të bërit e një opere shqiptare dhe figura e Skënderbeut e kanë frymëzuar që të sakrifikojë dhe të shijojë emocionet më të veçanta në jetën e tij profesionale. Erdhi për të veshur Heroin Kombëtar Skënderbeun.


Klement, me duart tuaja janë bërë kostumet e mjaft operave italiane. Jemi kurioz të dimë më shumë për punën tuaj në Itali.
-Puna ime vjen nga kërkesa e kostumografëve të ndryshëm që duan të bëjnë një operë, “Traviatën” ose “Rustikanën” ose Trovatoren” dhe kështu unë shkoj dhe bëj kostumet duke u përpjekur që të jenë sa më të përshtatshme me personazhin, periudhën dhe vendin e ngjarjes dhe figurën skenike. Kjo është puna ime.

Kjo nuk është pak. Kostumografia kërkon art, njohje të veprës dhe shumë fantazi për të pasur një harmoni skenike. Kush ua zbuloi talentin?
-Ishte thjesht rastësi. Unë gjeta në fillim punën që të punoja në një rrobaqepësi, pastaj dolën në shesh ato vlerat ose talenti që ishte brenda meje dhe nuk e dija. Zanatin e rrobaqepësit e mësova duke parë tim at. Babai im ka qenë një rrobaqepës i thjeshtë. Jam me origjinë nga Lushnja por kemi banuar në Berat. Babai donte që të shkollohesha. Sot jam bërë pishman që nuk bëra shumë shkollë, por kam kuptuar se të duash të punosh mëson dhe shkollohesh. Në filin bëra një veshje të thjeshtë për televizionin italian RAI UNO. Ishte një spektakël parodie. Kostumagrafja e RAI-t që më njihte më tha që të bëja një parzmore për Odisenë. Por unë gjithmonë kur bëjë gjërat, shihja vetëm defektet, nuk kënaqem asnjëherë me punën time. Sipas mendimit tim nuk mu duk shumë perfekte ajo që bëra dhe u habita se kostumagrafja mbeti e kënaqur shumë dhe më ka falënderuar.
E falënderova atë, e pashë punën time në televizor, por nuk e shijova dot suksesin. Pas kësaj duke punuar tek kjo rrobaqepësi më erdhën të tjera porosi derisa nisën të më kërkonin edhe kostume për operat.

Cila ka qenë opera e parë që i bëtë bëtë kostume?
-Mbaja mend që puna e parë ka qenë për një opera afër Veronës, vendi ku lindur Salieri, të cilin e kanë kritikuar që ka kopjuar Moxartin. Atje bëra ca mburoja dhe kapele. Edhe pse u gëzova që i pashë në skenë gjatë provave, ndërgjegjja kritike nuk më linte të qetë. Bëja me mendjen time kritika e kritika për ca gjëra që mezi t’i sheh syri.

Dhe ju ndërkohë vazhdoni të bëni kostumet për operat?
-Sigurisht që vazhdoj. Në Itali gjërat janë ndryshe. Ka një traditë me kostumet. Ne kemi një magazinë në Milano dhe unë bëj veshje për 90 opera në vit nga më të ndryshmet. Unë i kompletoj kostumet, sepse jo të gjithë bëhen nga e para. Zgjedh kostumet që kemi dhe i përshtat të gjitha detajet që duhen, çfarë porosish kanë skenografët për ngjyrat dhe rolet. Bëj stilimin definitiv për në skenë. Ka shumë punë sepse veshjet përshtaten edhe me format fizike edhe me ngjyrat skenike dhe gjithçka duhet të jetë shumë e studiuar deri në detaje.

Cila është opera që të ka lënë më shumë mbresë gjatë karrierës tënde, ku më në fund ke thënë: ja këtu po më pëlqen puna ime?
-“Skënderbeu”.

Bënë shaka?!
-Jo aspak. Por është figura e Heroit tonë Kombëtar. Është një përkthim i historisë me gjuhën e kostumeve që unë e bëj dhe kjo për mua është emocionuese. Punoj me frymëzim, sepse vërtetë kam emocione teksa përfytyroj Skënderbeun me parzmore, ose veshjet që tregojnë një shenjë të aristokracisë së kohës së tij. Unë kam bërë edhe herë të tjera kostume këtu në Tiranë kur m’i kanë kërkuar këta, por është opera e parë shqiptare dhe më rrëqethet mishi kur shoh ato skena.

Çfarë elementesh ke bërë për veshjen e Skënderbeut?
-Kam bërë dy mburojat: të Skënderbeut me një dredhje lëkure dhe me ca perçina dhe mburoja e dytë e një princi shqiptar që duket sikur është shkaba shqiptare me një lloj thurje në lëkurë. Janë detaje të thjeshta dhe me ato materiale që janë këtu, sepse mungojnë ca gjëra. Megjithatë mua më pëlqen fakti që punoj me aq frymëzim që edhe kur mungojnë gjërat arrij ta bëjë. Këtu ka vështirësi në gjetje materialesh. Edhe pse kostumgrafët dinë të punojnë e të bëjnë vizatime të mira, nuk gjenden materiale, nuk ka një sistem pune si atje. Megjithatë po ia dal, sepse ndihmon edhe koncepti. Në Itali ka laboratorë ku ngjyrosen copat, kur s’i ke në ngjyrën e duhur p.sh. Por, kjo gjë nuk është faj as i operës as i kostumagrafëve. Bota ka edhe zhvillim më të hershëm industrial.

Kur je në një koncert dhe sheh kostumet e tua, çdo të thotë kjo për ty?
-Gjithmonë vë re diçka që nuk shkon. I shohin apo nuk i shohin spektatorët detajet, për mua i vënë re. Përthyhet një pantallon, unë nuk mendoj kurrë se nuk e sheh njeri.

Skënderbeun e këndon Roy Stevens. Ia dole ta bësh si shqiptar?
-Është një figurë e bukur skenike. I shkon roli. Pamja, veshja, zëri, e bëjnë të duket Skënderbeu vet.

Do të kemi imazhe dhe skena të bukura nga opera “Skënderbeu”?
-Shumë e bukura. Unë nuk punoj vetëm këtu. Kostumografi Platon Bardhi është i zoti me skenat. Edhe me Edlirën ka qenë një bashkëpunim i mirë. Ata bëjnë pjesën më të madhe. Unë ngaqë punoj në Milano, vij dhe shkoj atje. Nesër iki. Nuk do të shoh dot as premierën. Pashë vetëm provat.

Dhe si t’u dukën provat?
-Janë për t’u bërë ca modifikime të vogla, por unë mendoj se do të jetë një shfaqje e mirë. Kam dëgjuar këngëtarët dhe janë shumë mirë. Më pëlqeu shumë muzika me momente herë shumë të ëmbla, herë shumë tragjike. Tamam ashtu siç duhet të jetë.

Kush të pret në Milano?
-Familja. Gruaja ime Esmeralda që është nga Vlora. Kam edhe dy fëmijë: djalin, Samuelin, 6 vjeç e gjysmë dhe vajzën, Vanesën, që është katër vjeç e gjysmë.

Vini shpesh në Shqipëri?
Jo aq shpesh. Kam ikur 17 vjeç nga Shqipëria. Atje kam familjen. Edhe puna e shumtë edhe fëmijët e vegjël më bëjnë që të mos vij shumë shpesh. Por, kur kthehem, kthehem me qejf.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’