Kotzias: Japim zgjidhje për
problemet e trashëguara

Kotzias: Japim zgjidhje për<br />problemet e trashëguara
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u prit në një takim në Athinë edhe nga homologu i tij grek, Nikos Kotzias.
 
Takimi mes dy ministrave të jashtëm u përqendrua në vijimin e procesit të nisur, të trajtimit pa tabu dhe gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e trashëguara mes palëve, çështjet e aktualitetit dhe të së ardhmes sonë të përbashkët, bashkëpunimit ekonomik, zhvillimet në rajon dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Palët shprehën rëndësinë e vijimit të dialogut midis dy qeverive të vendeve tona, në kuadër të rritjes së frymës së besimit dhe nevojës së konkretizimit të veprimit, për të avancuar drejt zgjidhjeve për çështjet dypalëshe.
 
Dy ministrat ndanë vlerësimin e përbashkët se fuqizimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me rëndësi strategjike ndërmjet vendeve tona, fqinjë, anëtarë të NATO-s, dhe gjithnjë e më afër në planin evropian, është me rëndësi jo vetëm në planin dypalësh, por i shërben edhe një rajoni të vendosur të shohë përpara e të ndërtojë, përmes bashkëpunimit, të ardhmen e vet evropiane.

Ministri Bushati vlerësoi dhe shprehu falënderimet, në këtë kuadër, për rolin dhe mbështetjen e Greqisë ndaj proceseve integruese të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
 
Konferenca e përbashkët për shtyp e Bushatit me Kotzias
 
A mund të na thoni diçka konkrete për marrëveshjen e detit? A ka ndonjë progres?
Ditmir Bushati: Pa dyshim, ashtu siç ka çështje për të cilat ka pajtim të plotë, ka edhe çështje për të cilat ne jemi në fazën e konturimit të zgjidhjes. Një zgjidhjeje që bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe në dobinë reciproke. Shpeshherë opinioni publik diskuton për ato çështje për të cilat ende nuk kemi arritur të gjejmë zgjidhje. Por nuk bëhet shumë fjalë për gjërat që na bashkojnë.
 
Sa i përket pyetjes tuaj, është e vërtetë se kjo çështje është pjesë e një diskutimi mbi parimet se si mund të avancohet dhe cili është mekanizmi që duhet të gjejmë, në mënyrë që t’i zgjidhim këto çështje sipas rregullave të institucionalizuara të së drejtës ndërkombëtare.
 
Është edhe në interesin tonë, edhe të Greqisë, që të vihet kjo çështje në rrugën e zgjidhjes. Është një çështje që ka të bëjë me të ardhmen tonë, një çështje që inkuadrohet në gamën e gjerë të projekteve të rëndësishme që do të konkretizohen nga ana e Bashkimit Europian në rajonin e Adriatikut dhe Jonit, në gushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e energjisë.
 
Çështja e Zonave Ekonomike Ekskluzive do të ishte një shans i mirë për të çliruar energji pozitive, me qëllim që të promovojmë konkretizimin e këtyre projekteve europiane.

Në këtë sallë kam folur edhe më përpara për detin si një shans, si një pikë afrimi dhe jo si një zonë që na largon.
 
Për gjithë gamën e çështjeve që diskutuam sot, ne diskutuam në këtë frymë. Të gjejmë këtë mekanizëm, pa iu imponuar njeri-tjetrit, me mirëkuptim të plotë. Dhe besoj se në momentin që do të kemi gjetur zgjidhjen, pa dyshim këtë do t’ia bëjmë të ditur opinionit publik.
 
NIKOS KOTZIAS: Ministrat e jashtëm janë që të zgjidhin probleme dhe për të bërë publike mendimet e tyre. Disa e keqkuptojnë këtë, sepse besojnë se ministrat e jashtëm janë që të bëjnë deklarata në media nga mëngjesi deri në mbrëmje.
 
Ajo për të cilën ramë dakord është se ekziston mekanizmi, ekziston metoda për t’u zgjidhur me një mënyrë që u shërben interesave tona, të gjitha problemet që kanë rezultuar. Kjo metodë, ky mekanizëm, na bëjnë optimistë.
 
Zoti ministër i jashtëm i Greqisë, doja të pyes nëse do të çoni në Parlament abrogimin e gjendjes së luftës midis të dy vendeve?
 
NIKOS KOTZIAS: Greqia nuk është në gjendje lufte me Shqipërinë. Këtë e dëshmon edhe deklarata e Këshillit të Ministrave të Greqisë në vitin 1987, e dëshmon anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, e dëshmon traktati i Miqësisë i vitit 1996.
 
Nëse ka çështje juridike që sipas palës shqiptare kanë nevojë për më shumë interpretimn, siç thashë, për të gjitha çështjet ekziston mekanizmi dhe metoda që të zgjidhen.

Gjithashtu, Bushati takoi edhe kryetarin e Parlamentit grek Nikos Voutsis. Palët ndanë rëndësinë dhe rolin që mund të luajnë Parlamentet e dy vendeve në forcimin dhe konsolidimin e raporteve dypalëshe.

Në këtë kontekst, Ministri Bushati shprehu bindjen se Parlamenti grek do të mbështesë çdo nismë ligjore që kontribuon në thellimin e kuadrit ligjor dypalësh si shprehje e vullnetit të të dy popujve tanë.

Bashkëbiseduesit u shprehën besimplotë në progresin e marrëdhënieve dypalëshe, në interes të dy popujve tanë, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.


Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vengu inspekton punimet për ndërtimin e godinës multifunksionale në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr

Vengu inspekton punimet për ndërtimin e godinës multifunksionale në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr