Kov Pusi

Kov Pusi

Gjatë natës do dëgjohen krisma dhe shpërthime. Në të gdhirë keqbërës të panjohur do djegin disa qendra votimi. Nuk do ketë kohë me pyet si e qysh ndodhi se atypëraty do vijë haberi tjetër. Në një fshat të Rrogozhinës tre çemër dhe pesë myzeqarë pasi do shajnë njëritjetrin me libër shpie dhe prag dere për llogari të kandidatit të preferuar për kryetar komune, do rrëmbejnë kush cfurkun kush kalashnikovin kush hanxharin dhe do përfundojnë të gjithë të vdekur në mes të katundit brenda një pellgu gjaku me qen e mace rrethepërqark. Për të njëjtat arësye, më pak ose më tepër të vdekur do ketë edhe në nahie të tjera.

Rreth orës 7 do zhduken valët e celularëve dhe do ndalin sinjalin kompanitë e internetit.

Nga ora 9 e gjysëm do njoftohet mbyllja e aeroportit dhe do anulohen të gjitha fluturimet për aq kohë sa do përcaktohet në një njoftim të dytë që nuk do bëhet kurrë.

Në orën 10, pa asnjë shpjegim, do anulohen lundrimet e trageteve dhe të gjithë mjeteve detare.

Habere të turbullta për sherre që përfundojnë me vdekje do vazhdojnë të vijnë çdo minutë.

Do ulen qepenat e dyqaneve. Do boshatisen rrugët. Do mbyllen nëpër shtëpia. Do kyçin derën nga brenda. Do mbajnë frymën. Të sëmurët me zemër do vdesin.

Në mesditë turma të xhindosura dhe të armatosura militantësh partiakë do bllokojnë rrugët kryesore, për Shkodër, Kukës, Korçë, Vlorë, Gjirokastër.

Disa televizione do vazhdojnë të punojnë. Për shkak të bllokimit të celularëve dhe Internetit, nuk do japin lajme. Do bëjnë vetëm supozime të tipit, kaq të vdekur këtu, aq të therur atje, aq të çmendur atje tutje, etj.

Në mungesë të mjeteve moderne të komunikimit, do nisi komunikimi me të bërtitura, klithma, ulurima, pëshpërima, si dhe me mjete rrethanore, shkrepse me spango vesh më vesh nga dritarja në dritare, nga këtej rrugës në andej rrugës. Disa ndërluftues do këmbejnë mesazhe duke goditur mbi legena, kusia, gjyma, me alfabetin Mors që e kanë mësuar në ushtri në kohën e kurvit. Do përdoren edhe mjete mesjetare komunikimi. Me zë me gisht në vesh, me valavitje flamurësh, me flakadanë, me brirë, me boria. Pa harruar pusullen, atë që udhëton fshehtaz dor' pas dore, dhe në rrethana të vështira, për të mos rënë në dorë të armikut imagjinar, soc-kasneci heroik e gëlltit si në kohën e partizanllëkut rrenacak.

Turma pronarësh të irrituar me padrejtësinë e ligjit të kthimit të pronave, brenda pak orësh do ta korrektojnë atë ligj me mënyrën e vet, duke ngulur në vendet përkatëse hunj të rinj në kufijtë e vjetër.

Shembja me tritol e tunelit të Elbasanit, tunelit të Thirrës, godinës së Kryeministrisë, godinës së Paralametit, dhe disa ministrive, nuk do bëjnë ndonjë përshtypje para hallit imediat të ruajtjes së kokës. Ama kur shkrepset, spangot, flamujt, flakadanët, legenat, brirër, pusullet, do sjellin haberin e mbi 10.000 të vrarëve brenda disa orëve, do tmerrohet i madh e i vogël. Do jetë shqetsim i kotë. Kaq të vdekur nuk janë as pak as shumë. Janë aq sa duhet të jenë në një ditë votimesh për një vend burracakësh që nuk ka fituar as nuk ka humbur kurrë ndonjë luftë sepse luftë kurrë nuk ka bërë.

Me kalimin e orëve vrasjet dhe vdekjet do shtohen aq tepër sa nuk do mund të numurohen.

Kokat e prera ose të shkulura nga trupat e gjallë, do goditen me shkelm nga rruga për të bërë gol në derën e shtëpisë ose të dyqanit të...kokës. Gjatë këtij futbolli që do pagëzohet Headball, do përcaktohet cilat koka janë më të mira për Headball; ato të lebërve, mirditorëve, tironcave, kuksianëve, tropojanëve, pukjanëve, beratasve, gramshakëve, myzeqarëve, apo elbasanllinjve.

Oborret e spitaleve do mbushen me të gjymtuar me krahë e këmbë të shqyera e të thyera, organe të nxjerra, barqe të çara, kokërdhokë të varur, veshë të munguar, koka të çpuara, fyte të prerë, gurrmaze të çarë

Meqënse për shkak të numurit të madh do jetë i pamundur numurimi dhe identifikimi i kufomave në vendin e ekzekutimit, vrasësësve të të gjitha ngjyrave do tu kërkohet të tregohen paksa të mëshirshëm, ta venë dorën në zemër, viktimat të mos i lënë aty ku do ti vrasin por ti hedhin në lumë. Kjo në mënyrë që numurimi dhe identifikimi i të vdekurve të mund të kryhet në një vend të përbashkët për të gjitha viktimat, në derdhje të lumenjve, në Mifol, në Ndërnënas, në Bashtovë, në derdhje të Matit, te gryka e Drinit, e kështu me rradhë. Numuruesit, që mund të jenë kosovarë të ardhur enkas, pasi do bëjnë nga një selfie me secilën kadavër, do marrin shënime për gjininë, moshën e secilit trup të pajetë, dhe statistika të tjera të përpikta, si e lyp rasti konkret, çmenduria në fjalë.

Pasdreke haxhiqamilistët dumbabistë do tu vërsulen dyqaneve ku përveç mallit do shkulin pllakat e dyshemesë, vetratat, hidrosanitaret, etj. Pronarët nuk do bëjnë rezistencë. Nuk rrezikohet koka për ca rraqe.

Pas dyqaneve do tu vijë rradha supermarketave, hoteleve, restoranteve, që do zbrazen nga gjithçka që vidhet, hahet, pihet, vishet, mbathet, kqyret, dëgjohet, lexohet.

Pasdite afër muzgut çunat e Lushnjës do ikin drejt Shpiragut për tu organizuar në mal nëpër çeta si një herë e një kohë partizanët, komitat, kaçakët. Ata të Tiranës do ikin te mali me gropa. Të Korçës te Mali i Ivanit. Përmetarët në Nëmërçkë. Kolonjarët nuk do luajnë vendit.

Në mbrëmje, autokolona me kamionë të ruajtura nga vetë pronarët e armatosur deri në dhëmbë me kalashnikova, granata, bomba, do nisen drejt Greqisë dhe Maqedonisë për të marrë mallra të skaduar, mbeturina dhe kalbësira, miell, kripë, sheqer, patate, qepë, për ti shitur me superçmim.

Bankat do rrethohen fillimisht me nga 10 policë. Me çthurjen e rendit, policët do pakësohen një nga një, deri në asnjë aty nga mbrëmja. Meqënse për të shpëtuar kokat do harrojnë lekët, bankat nuk do preken edhe pa roja.

Në mbrëmje, kur kaosi do jetë total, dhe nuk do dihet çfarë do ndodhi, jo pas një ore, por as pas një minute, një lab Tepelene me lot më sy do ja mori këngës "30 Qershor o mos ardhsh' kurrë".

Një rapsod i verbër andej nga Thethi do rrëmbejë lahutën me kokë dhie. Do ja marri me zë të zvargur motivit të lashtë "Shqiptari shtat herë vritet tetë herë ngjallet" tekstin e të cilit do ta improvizojë atypëraty nga fjala në fjalë.

Në mesnatë, një tironc i vjetër, ligjëratën moralistike televizive drejtuar Kombit për paqe e mirkuptim do ta përfundojë me fjalët lapidare,

E dija që do vinte kjo ditë e kobshme. Nuk mund të ndodhte ndryshe me ju që ditën e votimit që duhet të jetë ditë feste e ktheni në ditë zie. Nuk dini të bëni gjë tjetër ju që të vetmin motivim keni frikën, të vetmin frymëzim urrejtjen, të vetmin moral pabesinë, të vetmin pasion vrasjen, të vetmen zbavitje intrigën, të vetmin sport thashethemin. Ju që Kisha e Xhamia nuk besoni, ju që Zot nuk keni, ju që vetëm gënjeni, vetëm urreni, vetëm vidhni, vetëm vrisni, pasi e latë Shqipërinë dhe veten të bjenë në humnerë si bie një kov pusi që i këputet litari, veç shkatërrimit ciklik që i bëni vetes, nuk mund të keni tjetër Fat.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • asolingo: 22/05/2019 16:14

    Shoku flm.per reportazhin,e verteta kjo eshte,ndoshta kur ta kuptojne do jete teper vone.

    Përgjigju
  • Lavdosh: 22/05/2019 16:02

    Shkrime, ese te tilla tregojne se sa poshte ka rene niveli ne Shqiperi. Pseudo intelektualet e kohes se Rrumpallisteve jane te gjithe ne front dhe po pergatisin zi dhe dite te erreta. Haxhiqamilista dhe rrumpallista

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë