KQZ: 139 njësi vendore shkelëse
të Kodit Zgjedhor, sanksione

KQZ: 139 njësi vendore shkelëse <br />të Kodit Zgjedhor, sanksione
TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kthye të premten gati në një sallë gjyqi kur 7 anëtarët dëgjuan disa prej kryetarëve të njësive vendore që nuk kanë dorëzuar në KQZ të dhënat mbi qendrat e votimit dhe numrin e zgjedhësve, ose e kanë bërë atë duke mos respektuar Kodin Zgjedhor.

Administrata e KQZ theksoi se ishin 62 njësi të qeverisjes vendore që nuk kishin dorëzuar materialin brenda afatit kohor të 18 shkurtit. Prej tyre, 28 e dorëzuan mbas skadencës ndërsa 34 njësi vendore ende nuk i janë përgjigjur kërkesës. Gjithashtu, 77 njësi kanë pasur mangësi ose parregullsi dhe vetëm 13 i kanë ndrequr ato në një moment të dytë.

KQZ do të vendosë sanksionet në një moment të dytë, por një pjesë e anëtarëve kërkuan që ato të mos ishin njësoj për të gjithë shkelësit. Por përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, kërkoi që KQZ të mos tregohej e butë me shkelësit e Kodit Zgjedhor.

KQZ vendosi gjithashtu edhe shpërblimin për dy auditët teknicienë që kujdesen për listat e zgjedhësve, që u caktua në 1600 lekë të reja për çdo ditë pune, me të vetmen votë kundër të anëtares Albana Shtylla.

RAPORTI

Përsa i përket raportit vjetor të përgatitur nga ky institucion për vitin 2012, konstatohen një sërë problemesh.

Raporti voluminoz përmban edhe mosarritjen e miratimit të aktit për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013, projektvendim i cili kërkonte 5 vota në KQZ. “Mungesa e numrit të kërkuar ligjërisht të votave “pro” sjell si pasojë, që projekt-akti i paraqitur “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”, të mos miratohet. Ai kërkonte 5 vota “pro”, thuhet në raport.

Një tjetër vendim që përfshihet në raport është pikërishtr edhe ai i përcaktimit të Zonave të Admnistrimit Zgjedhor (ZAZ-ve), ku u shtuan 23, duke e çuar numrin në 89, ku ZAZ me numrat tek do të drejtohen nga PS. Në raport përfshihen dhe plotësimi i vendeve vakante apo dhe konsitutimi i KQZ së re etj. Në të njëjtën kohë raporti përmban edhe kërkesën e një grupi nismëtarësh për Referendumin kundër importit të mbetjeve.

KQZ:

Partitë debitore, zgjedhjet vendore disa zhduken pa seli

Në raportin vjetor të 2012 të KQZ si dhe në rekomandimet e dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, rezulton se partitë politike janë ende debitore në KQZ përsa i përket moskthimit të shumave të përftuara për fushatat zgjedhore pas rezultateve zgjedhore.

“Në vite janë krijuar shuma debitore nga partitë politike, për shkak të moskthimit të shumave të përfituara për qëllime të fushatave elektorale. Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, shumat e dhëna nga KQZ paradhënie, me daljen e rezultatit përfundimtar, nëse partia nuk ka arritur rezultatin që parashikon Kodi Zgjedhor duhet të kthehen.

Këto detyrime janë evidentuar dhe ka filluar puna për arkëtimin e tyre. Gjithashtu në raportin përfundimtar të KLSH-së janë lënë edhe dy masa zhdëmtimi për plotësimin e të cilave janë marrë masat përkatëse.

Për njërin rast është nxjerrë urdhër zhdëmtimi dhe për rastin tjetër ka filluar komunikim shkresor me subjektin privat për arkëtimin e shumës së evidentuar nga KLSH”, thuhet në raportin e KQZ. Ndër të tjera, probleme konstatohen edhe në zgjedhjet e 2011, ku nga 120 parti, përveç 1/3 së tyre, nuk kanë kryer auditimin e financave nga ekspertët kontabël të licensuar.

“Nga 45 ekspertë kontabël të licensuar, të emëruar për auditimin e 120 partive politike, vetëm 1/3 e tyre kanë përmbushur detyrën zyrtare në përgjigje të detyrimit që rrjedh nga kontrata e lidhur me KQZ-në, pjesa tjetër i komunikonte KQZ-së pamundësinë e kryerjes së misionit për shkak të mos gjetjes se selisë së partisë në adresën e deklaruar në gjykatë”, thuhet në raportin e KQZ.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Humbja e konservatorëve britanikë në zgjedhjet lokale vlerësohet historike

Humbja e konservatorëve britanikë në zgjedhjet lokale vlerësohet historike