KQZ, Kosovrasti:E rëndë 590 votues
fiktivë në Kavajë, Gjonçaj: Janë 1%

KQZ, Kosovrasti:E rëndë 590 votues<br />fiktivë në Kavajë, Gjonçaj: Janë 1%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar sot raportin e auditit mbi verifikimin e veprimeve në regjistrimin në gjendjen civile të Kavajës për muajin maj ku ka konstatuar një shtim jo natyral të zgjedhësve me 590 zgjedhës.

Pas paraqitjes së raportit, përfaqësuesi ligjor i PD-­së në KQZ, Njazi Kosovrasti e ka vlerësuar këtë rast si të rëndë, duke e akuzuar kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi se ka shkelur ligjin për lëvizjen e qytetarëve.
 
Kosovrasti ndërsa kërkoi nga KQZ që të hetojë çështjen, tha se Roshi ka nënshkruar kontrata hua­përdorje për ambiente dhe jo për banesa.

“Është rasti i dytë që na ndodh të ndeshemi në KQZ pas atij të Durrësit. Në aspektin formal të asaj sesi kreu i bashkisë ka manipuluar procesin, ky i Kavajës s’ka dashur t’ia dijë për asgjë. Ky nuk ka respektuar asnjë akt. Në këtë kuptim, ngjarja që ka ndodhur në Bashkinë e Kavajës është shumë e rëndë. Shtimi i 195 familjeve që ka sjellë 590 zgjedhës. Kemi të bëjmë me një kontratë hua­përdorje. Ti kryetar i Bashkisë që vendose ta regjistrosh atë, duhet ti japësh një banesë jo një stallë. Ky VKM është shkelur. Kryetari i Bashkisë ka dhënë kontrata hua­përdorje për ambientin, jo banesën. Kjo situatë e frikshme. Si mund të mënyrë kaq flagrante, një punonjës i shtetit të marrë përsipër gjëra të tilla. Kontrata e përdorimit duhet të ishte për banesë. Kjo është një lojë fiktive, e rrezikshme vetëm me një synim që të mbledhë në zgjedhjet e ardhshme 595 votues të tij. Mendoj se kryetari Elvis Roshi është në kundërshtim të hapur me ligjin. KQZ ta thellojë këtë çështje. Të bëhet edhe kallëzimi penal për këtë veprimtari”.-tha Kosovrasti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i PS­-së në KQZ, Genci Gjonçaj mbështeti hetimin e kësaj çështjeje duke thënë shprehimisht se bashkon zërin me Kosovrastin, por tha se numri për të cilin flitet është realisht i vogël në krahasim me numrin total të votuesve, rreth 1%.

“Flasim për numra dhe themi që auditi i Kavajës ka gjetur rreth 600 persona që janë shtuar në një kohë të caktuar. Nga auditi tjetër pashë që një muaj më parë ka pasur 1000 më pak, pra 1000 të larguar. Pamë në Durrës 2000 persona të shtuar. Nuk i thamë publikut që numri i votuesve është 200 mijë në Durrës, dhe 2000 janë 1.6 %. Harrojmë të themi që Kavaja ka 60 mijë zgjedhës dhe 600 janë 1%, duhet të kemi parasysh edhe këto fakte. Këto të dhëna që u mohoheshin opozitës po paraqiten lehtësisht. Ne na vjen mirë, pra procesi është transparent. Bashkoj zërin tim me zërin e Kosovrastit për një hetim të thellë të këtij rasti. Është mirë që KQZ të hetojë këtë rast, sepse është shumë e thjeshtë, ligja i parashikon të gjitha procedurat për lëvizjen e qytetarëve. Në Durrës procesi më i qetë se sa duket. Në Kavajë duket problematik por po ecën mirë.”, u shpreh Gjonçaj.

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Delegacioni i BERZH në Tiranë, takon ministrin e Financave Ervin Mete

Delegacioni i BERZH në Tiranë, takon ministrin e Financave Ervin Mete