KQZ: Kronikë e paralajmëruar
Kavaja, do njoftojmë Presidentin!

KQZ: Kronikë e paralajmëruar<br />Kavaja, do njoftojmë Presidentin!
TIRANE-“Do të njoftohet Presidenti i Republikës dhe në një nga ditët më të afërta besoj që Komisioni do të duhet të marrë dhe një qëndrim ligjor, ose një akt në lidhje me zgjedhjet në Kavajë. Diçka që ishte parashikuar të mos ndodhte, kronikë dhe një palë zgjedhje të paralajmëruara se do të ndodhnin”.

Kështu u shpreh sot Denar Biba, kryetari i Komisionit Qendror  të Zgjedhjeve (KQZ) pas vendimit të kryeministri Edi Rama i cili tërhoqi nga gara kandidatin e tij për zgjedhjet kryetar Bashkie ne Kavajë.

Pasi ka diskutuar situatën e krijuar lidhur me zgjedhjet që priteshin të mbaheshin sot në Kavajë, institucioni qendror i administrimit të zgjedhjeve ka vendosur që informojë Presidentin.
 
Kreu i KQZ-së, Denar Biba, tha se do te vihet ne dijeni Presidenti i Republikës mbi atë që ndodhi dhe situatën e krijuar në Kavajë, dhe pas kësaj do të merret një vendim ligjor.
 
Nuk është një moment normal dhe KQZ nuk mund të bëjë një sy qorr dhe as një vesh shurdh. Një moment i pazakontë. Sot supozohej se në Bashkinë e Kavajës do të bëheshin zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Kavajës. Tashmë të gjithë e dini për dorëheqjen e dy kandidatëve atje. Këtë mund ta konfirmojmë dhe ne, aktet janë formalizuar dhe janë në KQZ, dorëheqjen e noterizuara të dy kandidatëve. Dje KZAZ numër 22 është mbledhur, ka pritur deri në orët e vona të natës që anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit të paraqiteshin dhe të merrnin në dorëzim bazën materiale dhe fletët e votimit. Nuk ka pasur shpërndarje të materialeve zgjedhore dhe sot gjithashtu nuk janë hapur Qendrat e Votimit në Kavajë.
 
Të gjitha duken formale, por demokracia është dhe procedurë. Për fat të keq këta radhë mbeti vetëm procedurë dhe u arrit të materializohej dhe të shndërrohej në një shprehje të vullnetit të qytetarëve të Kavajës. Kam për qëllim sot të informoj zyrtarisht edhe Presidentin e Republikës bashkangjitur dhe dokumentacionin përkatës lidhur me gjithë atë çka ndodhi
”.
 
Sipas Bibës, situata duhet të formalizohet dhe të futet në shinat e ligjit. Ai theksoi se në ditët në vijim do të mbahet një qëndrim ligjor për Kavajën.

Flas në aspektin formal dhe ligjor jo politik. Megjithëse duket gati në kufinjtë e groteskut kjo që po ndodh ne duhet të bëjmë formalizimin e kësaj situate për ta sjellë brenda të gjitha kapaciteteve tona brenda shinave të ligjit”.

VENDIMI I KQZ
Në përfundim te mbledhjes, KQZ doli me një vendim zyrtar mbi zgjedhjet në Kavajë. KQZ tha se, deri tani nuk eshte terhequr baza ligjore nga Kavaja dhe se në përfundim të afateve të përcaktuara në nenin 161 të Kodit Zgjedhor do të shprehet me vendim. Ndërkohë, për të gjitha këto fakte, KQZ tha se do të njoftojë zyrtarisht Presidentin e Republikës. 

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, menjëherë pas caktimit të datës së zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të Bashkisë së Kavajë, nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 10098, dt. 24.03.2017, u angazhua maksimalisht për të përmbushur me korrektësi të gjitha detyrimet ligjore brenda afatit të kohor të parashikuar nga ligji.
KQZ përgatiti të gjithë bazën materiale zgjedhore për funksionimin e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 42 në Kavajë, për funksionimin e 85 Komisioneve të Qendrave të Votimit, dhomat e fshehta, kutitë e votimit, kodet me vula sigurie, mjetet e posaçme për zgjedhësit me aftësi të kufizuar, si edhe çdo material tjetër të nevojshëm për procesin e votimit.  

U prodhuan me emrat e dy kandidatëve, 62.937 fletë votimi. 

Gjatë kësaj periudhe u trajnuan të gjithë komisionerët e  Qendrave të Votimit, përfshirë edhe shtetasit të cilët aplikuan dhe u miratuan nga KQZ,  për t’u emëruar kryesisht nga KZAZ-ja si anëtarë të KQV-ve.

E gjithë baza materiale zgjedhore e sipërpërmendur u dërgua nga KQZ pranë KZAZ-së nr. 42, në Kavajë, ditën e enjte, datë 4 maj.

Sikundër dihet tashmë publikisht, ditën e shtunë, datë 6 Maj, dy kandidatët për kryetar të bashkisë së Kavajës paraqitën pranë KZAZ-së nr. 42, deklaratat e noterizuara për dorëheqjen e tyre nga kandidimi, me argumentin se dorëheqja e tyre do të ndihmonte për qetësimin e situatës politike dhe për të shmangur çdo dëmtim të mundshëm të qytetit të Kavajës dhe qytetarëve të tij.

KZAZ nr. 42, e cila në bazë të  Kodit Zgjedhor administron procesin zgjedhor në Bashkinë e Kavajës, me vendimin nr. 177, datë 06.05.2017, pranoi kërkesat e kandidatëve për çregjistrimin e tyre dhe anulloi respektivisht vendimet nr.4 e nr.5 të datës 12.04.2017.

Komisioni i Administrimit të Zonës Zgjedhor nr. 42, në vijimsi ka informuar në rrugë zyrtare KQZ-në gjatë ditës së shtunë dhe të dielë, për:
Mostërheqjen e bazës materiale zgjedhore nga asnjë Komision  i Qendrave te Votimit në datën 6 maj, përmes njoftimeve të dërguara në orën 16.00 dhe orën 24.00.
Moshapjen e Qendrave të Votimit në datën 7 maj, në orën 07.00.

Mos hapjen e Qendrave të Votimit dhe mos fillimin e votimit në asnjë Qendër Votimi, njoftim i orës 13.00 në datën 7 maj. Duke vlerësuar situatën faktike dhe ligjore të referuar më lart, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se në përfundim të afateve të përcaktuara në nenin 161 të Kodit Zgjedhor do të shprehet me vendim.

Ndërkohë, për të gjitha këto fakte, KQZ do të njoftojë zyrtarisht Presidentin e Republikës
", citoi KQZ.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari