KQZ, marrëveshje me AMA-n për monitorimin e medias gjatë fushatës zgjedhore

/ATSH-Z.Tosku/- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për monitorimin e medias gjatë fushatës zgjedhore, me Autoritetin për Mediat Audiovizive.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi, Zëvëndëskryetari, Denar Biba dhe Kryetari i AMA-s, Gentian Sala.
Marrëveshja e miratuar një ditë më parë me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u nënshkrua sot në kuadër të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të datës 21 qershor.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fjalën e saj përshëndetëse tha se, marrëveshja nënshkruhet në zbatim të Kodit Zgjedhor, për monitorimin e medias gjatë transmetimit të fushatës zgjedhore.
Luzi  ndër të tjera u shpreh se, "kjo marrëveshje do t'i shërbejë Bordit të Monitorimit të Medias, i cili nuk është ngritur ende dhe kjo ka ndodhur për shkak se organizatat jofitimprurëse që operojnë në fushën e medias dhe që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë, nuk kanë sjellë propozime".
Kryetarja e KQZ-së i'u bëri apel sërish OJF-ve që operojnë në fushën e medias që të sjellin sa më shpejt propozimet për anëtarë të BMM-së, në mënyrë që t'i hapin rrugë KQZ-së për krijmin e Bordit.
Nga ana e tij, Kryetari i AMA-s, Gentian Sala tha se, kjo marrëveshje bashkëpunimi është perfeksionuar në nenet e tij dhe kjo do të ndikojë në përmirësimin e punës se Bordit të Monitorimit të Medias.
Marrëveshja e nënshkruar ka si qëllim angazhimin e palëve për përcaktimin e rregullave, për shfrytëzimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Autoritetit për Mediat Audiovizive për monitorimin e fushatës zgjedhore.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen