KQZ nis punën,Lleshi:Do zbatoj
ligjin, Auron Tare merr mandatin

KQZ nis punën,Lleshi:Do zbatoj<br />ligjin, Auron Tare merr mandatin
TIRANE- Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve nis punën me zgjedhjen e nënkryetarit të ri dhe dhënien e mandatit të deputetit socialist Auron Tare. 
Me 6 vota pro  Denar Biba u zgjodh nënkryetari i këtij institucionit. Ndërsa dhënia e mandatit të deputetit PS Auron Tare, mori votat unanime të anëtarëve të KQZ-së.  

Në fjalën e parë si kryetare e KQZ-së Lefterie Lleshi tha se ishte e vendosur të bashkëpunonte me anëtarët e komisionit duke pasur vetëm një parim “adresimin e ligjit dhe nënshkrim sipas ligjit.”

“Në detyrën time jam e vendosur të dëgjoj me vëmendje optikën e anëtarave në frymën e një skuadre, në mënyrë që vendimmarrja të kreditohet pozitivisht si nga vendorët ashtu dhe ndërkombëtarët”- tha zonja Lleshi.

Përfaqësuesi ligjor i PS-së Genc Gjonçaj në fjalën e tij përshëndetëse kërkoi kthimin e besimit të qytetarëve.
“Ktheni besimin e qytetarëve tek vota e lirë. Për një sistem zgjedhor korrekt ku çdo votë e qytetarit të numërohet”- tha Gjonçaj duke kujtuar se zgjedhjet e 2013 janë kusht për integrimin. “Jini në lartësinë për ta realizuar këtë sfidë”- tha Gjonçaj.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së Njazi Kosovrasti kërkoi më tepër angazhim nga anëtarët e KQZ, duke iu referuar dhe deklaratës së kundërshtarit të tij politik, Kosovrasti tha “Të ndërtosh është më e vështirë të kritikosh është më e lehtë”

BIBA NENKRYETAR I KQZ-se
Pas votimit të fshehtë me 6 vota pro të anëtarëve të KQZ, Denar Biba u zgjodh nënkryetari i këtij institucionit. Albana Shtylla mori vetëm një votë. Të dy ishin kandidatë të propozuar nga PS.

MANDATI I AURON TARES
Auron Tare nga sot është deputeti më i ri i PS-së. 7 anëtarët e KQZ votuan pro dhënies së mandatit të deputetit PS Auron Tares. Kërkesa për zvendësimin e ish-deputetit të PS, Andis Harasani me atë të emrit pasardhës në listën shumëemërore për deputet të koalicionit Alenaca për të Ardhmen (PS) ishte depozituar nga Kuvendi.

Dje anëtari i KQZ, Ilirjan Muho kishte konfirmuar se në sekretarinë e KQZ ndodhej kërkesa e Kuvendit, për plotësimin e vendit vakant në grupin parlamentar socialist. Kërkesa ishte depozituar pas ngritjes së shqetësimit nga ana e kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruçi në Parlament për vonesën e zvendësimit të deputetit të PS.

Referuar KQZ, bëhet e ditur se ky institucion është njoftuar që në datën 9 tetor për krijimin e vakancës në Parlament, për shkak të mbarimit të mandatit të deputetit të PS, Andis Harasani. "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbështetur në nenin 21, pika 1, dhe nenin 164, të ligjit nr 10019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, vendosi: T'i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë për Qarkun Tiranë, z. Auron Isa Tare", thuhet në vendimin që u miratua sot KQZ. Tashmë pritet mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe miratimi nga Kuvendi.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë