TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot në orën 10:00 me qëllim plotësimin e KZAZ 2  në komunat Rrethinë në qarkun Shkodër dhe KZAZ 73 në komunën Dardhas në Korçë me nga një anëtar.
 
PR u përcakua si parti e dytë e shumicës parlamentare që ka të drejtë të propozojë një anëtar për KZAZ 2 dhe KZAZ 73.

Por meqë afati i këtyre propozimeve ka kaluar dhe PR nuk e ka ushtruar të drejtën e saj për të propozuar do të procedohet me partitë e tjera në rend brenda grupimit përkatës dhe këtë të drejtë e gëzon automatikisht, PDIU, e cila duhet të paraqesë propozimet deri në 14 gusht 2013.

Në rast se dhe ky subjekt nuk paraqet propozimet automatikisht e drejta i takon partisë kryesore në këtë grup, PD, e cila duhet të paraqesë propozim derei në datën 15 gusht.

Përfaqësuesi i PD në KQZ u shpreh se "i kam emrat gati dhe mos humbasim kohë ta bëjmë deklarimin ta bëjmë tani".

Ndërkohë, një tjetër përfaqësues i PD u shpreh se "afati është i shkurtër deri nesër, presim skadencën e afatit dhe do jemi sërish nesër këtu dhe mund t’i paraqesim nesër propozimet".

KQZ do të rimblidhet nesër në orën 10:00.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)