Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi dje kërkesën e Partisë Demokratike për mosregjistrimin e kandidates së Frymës së Re Demokratike për zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në qytetin e Korçës. Bëhet fjalë për zgjedhjet e datës 3 nëntor, nga ku do të zgjidhet kreu i ri i kësaj bashkie, pas dorëheqjes së Niko Peleshit si kryebashkiak. Katër anëtarët e këtij institucionit administrues të zgjedhjeve në vend vendosën pranimin e kërkesës për kundërshtimin e vendimit të KZAZ-së nr. 71(Korçë), për rregjistrimin e kandidates Brikena Zeneli, propozuar nga subjekti zgjedhor FRD.
Gjatë mbledhjes së djeshme në KQZ anëtarët e KQZ si dhe përfaqësuesi ligjor i PD, Niazi Kosovrasti argumentuan mungesën e firmave të mbledhura dhe nënshkrimet me kartat e identitetit të qytetarëve korçarë për të propozuar kandidaturën e Zenelit për në krye të bashkisë së Korçës. Ervin Karamuco, sekretar i çështjeve zgjedhore në FRD, kërkoi një afat tjetër për të plotësuar mangësitë në dokumentacionet e kandidates së FRD për zgjedhjet e pjesshme, kërkesë që nuk u miratua nga KQZ. Partia Demokratike kishte depozituar në KQZ kërkesën ankimore për përjashtimin e kandidates së FRD-së nga gara me argumentimin se kanë konstatuar një mangësi në regjistrimin e kandidates nga KZAZ-ja e Korçës, kërkesë që u pranua nga KQZ.
REAGON FRD
Fryma e Re Demokratike (FRD) ka akuzuar Partinë Demokratike se po sulmon kandidaten e tyre për kryetare të Bashkisë së Korçës, Brikena Zenelin. Partia Fryma e re Demokratike i bën thirrje Partisë Demokratike: “Të tërhiqet menjëherë nga ky akt primitiv”. Burime pranë FRD-së shprehen se: “PD kërkon eliminimin e kandidates sonë në Korçë dhe se ky sulm politik është sulm ndaj pluralizmit”. Ndërkohë që Kryesia e degës lokale të PD-së në Korçë ka zyrtarizuar kandidaturën e Sotiraq Stradobërdhës si kandidat i PD-së, i cili do të garojë për kreun e Bashkisë së Korçës, në 3 Nëntor.
Stratobërdha ka qënë deputet i PD në Parlamentin shqiptar në vitet ‘92-‘96 dhe aktualisht është në pozicionin e kancelarit të Prokurorisë së Rrethit. Stratobërdha u përzgjodh midis 35 kandidaturave të propozuara nga baza. Ai do të garojë përballë Sotiraq Filos, i cili mban aktualisht postin e nënkryetarit të Bashkisë së Korçës dhe është i përzgjedhuri i koalicionit qeveritar, PS-LSI.
LARGIMET E PD
Vetëm pak ditë më parë me qindra të rinj të anëtarësuar në forumin rinor të PD deklaruan largimin nga kjo parti për të shkruar drejt FRD. Duket se largimet e 100 të anëtrësuarve të PD në korçë, drejt FRD kanë trembur këtë parti, ç`ka ka sjellë edhe kërkesën për mosregjistrimin e kandidates së FRD.
Lajmi u perditesua
Shkrimi u publikua sot (10.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)