KQZ, posti i kryetarit vakant
Kuvendi hap konkursin, ja kriteret

KQZ, posti i kryetarit vakant<br />Kuvendi hap konkursin, ja kriteret
TIRANE- Kuvendi shpalli sot vendin vakant të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbështetje të neneit 181, pika 2, nenit 15 pika 2 dhe nenit 12, pika 2 të ligjit nr.10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, posti do të plotësohet nga përzgjedhja mes kandidaturave të lira.
Sipas ligjit të ri elektoral, i cili hyri dje në fuqi, Kuvendi shpall vendin vakant dhe pret aplikimet e reja të shtetasve që plotësojnë kriteret formale të ligjit dhe që dëshirojnë të jenë anëtarë dhe njëkohësisht kryetar të KQZ-së.

Neni 181 i Kodit Zgjedhor përcakton që parlamenti duhet ta kryejë procedurën e shpalljes së vendit vakant menjëherë pasi bëhet dekretimi i ndryshimeve në ligj. Pas këtij hapi formal do të jetë komisioni i Ligjeve ai që do të ketë detyrimin të administrojë konkurentët që do të paraqiten, për të kryer më pas seanca dëgjimore me secilin prej tyre dhe përzgjedhjen në fund të dy kandidaturave alternative, të cilat duhet të kenë mbështetjen e 2/3 të anëtarëve të këtij komisioni.

Nëse shumicën e cilësuar nuk e gëzojnë të paktën dy kandidatë, komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit. Më pas, përfaqësuesit e opozitës në komision përjashtojnë dy nga këta kandidatë, ndërsa Kuvendi zgjedh kryetar të KQZ-së kandidatin që merr më shumë se gjysmën e e votave, mes dy kandidatëve të mbetur.

E gjithë kjo procedurë duhet të përfundojë jo më vonë se data 25 shtator, pra 10 ditë pasi të jenë zgjedhur 6 anëtarët e tjerë të KQZ-së, për zgjedhjen e të cilëve do të ndiqen procedurat e mëparshme.

JA KRITERET
Çdo shtetas shqiptar që plotëson kushtet e mëposhtme, të parashikuara në nenin 12, pika 2 të Kodit Zgjedhor, mund të paraqitet si kandidat për Kryetar të KQZ-së.
a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç;
b) të jetë me arsim të lartë;
c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme:
i) në fushën e së drejtës;
ii) në administratën publike;
iii) në administrimin e zgjedhjeve;
iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike;
ç) të mos jetë i dënuar penalisht;
d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;
dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit;
e) të mos ketë qenë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.

Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore dhe depozitohet pranë Sekretarisë së Kuvendit të Shqipërisë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Plazhet e Lezhës janë në kapacitete absolute', nënkryetari i bashkisë për Studio Live: Sfidoj këdo, nga portalet nuk merret vesh e vërteta

'Plazhet e Lezhës janë në kapacitete absolute', nënkryetari i bashkisë për Studio Live: Sfidoj këdo, nga portalet nuk merret vesh e vërteta