Ndonëse në buxhetin e shtetit për vitin 2014 ishte parashikuar buxheti që do të shpërndahej mes 8 forcave politike, KQZ duke marrë në konsideratë ndryshimet e bëra në ligj ka bërë dje një rishpërndarje të këtij fondi me vlerën 142 milionë e 500 mijë lekësh për 12 forcat politike. Kjo rishpërndarje e fondeve për partitë politike është dhënë në formën e ndihmës financiare nga KQZ për periudhën prill-dhjetor 2014. Vendimi i KQZ-së ishte në mbështetje të ndryshimeve ligjore të miratuar për financimin e partive politike.
Me propozim të deputetit Nard Ndoka ligji pësoi ndryshime duke bërë që të gjitha subjektet politike që arrijnë të marrin mbi 10 mijë vota në zgjedhjet parlamentare të përfitojnë nga ndihma financiare që KQZ jep për këto parti. Kështu krahas 8 forcave kryesore politike Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Partisë Republikane; Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut; Partisë Kristian Demokrate dhe Frymës së Re Demokratike që do të përfitonin nga ky fond, shtohen edhe Partia Demokracia Sociale; Partia Social Demokrate; Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Aleanca Kuq e Zi.
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)