Nëpërmjet një njoftimi zyrtarë KQZ, shkruan se nuk shikon asnjë konflikt në mandatin e deputetit socialist të Përmetit, e për këtë arsye ai do të vazhdojë të mbetet i tillë, të paktën deri më 18 qershor.
Prokuroria ka kërkuar që Kostës t’i hiqet mandati i deputetit, pasi sipas saj nuk deklaroi në formular, dënimin e 17 viteve më parë.
Sipas kërkesës së akuzës depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, deputeti Kosta rezulton i dënuar në vitin 2000 për armëmbajtje pa leje me një gjobë prej 10.000 lekësh.
Grushte e armë ngjarja për të cilën u dënua Kosta
Grushte e deri në përdorimin e armës ka shkuar konflikti mes Vladimir Kostës kur ishte tregtar dhe një personi 17 vite më parë.
ReportTv zbardh ekskluzivisht dënimin e 17 viteve më parë dhënë nga Gjykata e Tiranës ndaj deputetit Vladimir Kosta, asokohe biznesmen.
Sipas vendimit rezulton se pas një konflikti fizik me shtetasin E.Topi për zënien e rrugës Kosta ka përdorur armën pa leje duke qëlluar në ajër dhe plumbi ka rënë mbi makinën e Topit.
Në gjykatë Kosta ka pranuar akuzën e prokurorisë, ndërsa ky dënim rezulton se nuk është pasqyruar në formularin e Dekriminalizimit.
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)