PRISHTINË, 3 Mars/ATSH/.- Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, theksoi sot se "vetëm në dy vitet e fundit falë edhe investimeve shtetërore, prodhimi vendor është rritur për rreth 26 %".
Gjatë prezantimit të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2015 dhe Programit për Pagesat Direkte 2015 të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Krasniqi tha se "bujqësia po bëhet prioritet i vërtet kombëtar për shkak të rëndësisë që ka shtimi i prodhimit vendor, rritja e vendeve të punës dhe zhvillimi ekonomik përmes bujqësisë".
"Gjatë këtij mandati, bazuar edhe në programin qeveritar ne do të kemi orientime të reja duke u fokusuar në çështje të reja, në fusha të reja përfshirë edhe subvencionimin e kamatave për fermerët. Do të investojmë në sigurinë ushqimore duke e reformuar edhe më shumë sistemin e kontrollit, por, edhe duke e bërë një reformim institucional shumë shpejt do të kemi edhe agjencinë e ushqimit dhe të veterinarisë, që do të jenë pjesë e ministrisë së Bujqësisë", nënvizoi Krasniqi.
Ministri Krasniqi u shpreh se "do të hartojmë pjesë të programit për mbrojtje të produkteve nga ndryshimet e papritura klimatike. Mendojmë që në bashkëpunim me kompanitë e sigurimit në vitet e ardhshme të krijojmë një skemë të sigurimit të kulturave bujqësore ashtu që kur të ndodhin të papriturat të mos jemi të papërgatitura dhe të mbesim në mëshirën e buxheteve që mund të na teprojnë".
Me këto investime, sipas Krasniqit, do të hapen edhe shumë vende të reja të punës, e po ashtu, përmes programit për zhvillim rural do të përkrahen rreth 500 fermerë apo ndërmarrje.
"Ideja jonë dhe sipas vlerësimeve, ne mendojmë që impakti i vetëm i programit të zhvillimi rural, pra, i 20 milion eurove të investuara do të jetë hapja e 1100 vendeve të reja të punës me orar të plotë, ndërsa në mënyrë indirekte nga vlerësimet tona do të krijohen deri në 1500 vende të punës. Besojmë që ky është një kontribut tepër i rëndësishëm duke e pasur parasysh që Kosova ende ballafaqohet me nivel të lartë të papunësisë. Pjesa tjetër e këtij impakti është që ne besojmë që nga vlerësimet që kemi nga të gjitha masat që do të jenë rreth 500 fermerë apo ndërmarrje që do të përkrahen përmes programit për zhvillim rural", tha Krasniqi.
Në dallim nga vitet e kaluara në këtë vit do të ketë në rritje të subvencionimeve në të gjitha kulturat bujqësore.
Vetëm në atë të grurit nga viti i kaluar do të ketë rritje të subvencionimit 20 % për hektarë, ndërsa në misër dhe luledielli do të ketë rritje në 50% për hektarë./KosovaPress/k.s/












