Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, deklaroi se aktualisht, Moska nuk sheh arsye për të përfshirë Europën në negociatat për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

“Rusia nuk sheh asnjë arsye që të përfshihen shtetet europiane. Nuk ka gjasa që kjo të jetë e dobishme", vuri në dukje Peskov, i cituar nga agjencia e lajmeve Tass.

Sipas Peskov, shumica e vendeve europiane kanë tendencë që të kontribuojnë në vazhdimin e luftës, sesa në përpjekjet për ta zgjidhur atë.

"Shumica dërrmuese e opinioneve të shprehura në kryeqytetet evropiane kanë tendencë të kontribuojnë më shumë në vazhdimin e luftës sesa në përpjekjet për një zgjidhje paqësore", theksoi ai.

Një ditë më parë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se shpreson që raundi i ardhshëm i bisedimeve Ukrainë-Rusi, me ndërmjetësimin e SHBA-ve, të zhvillohet këtë muaj.

Zelensky deklaroi se rezultati i arritur nga bisedimet e mëparshme nuk është i mjaftueshëm.

"Deri më sot, nuk mund të themi se rezultati është i mjaftueshëm. Përfaqësuesit ushtarakë kanë diskutuar disa çështje seriozisht dhe në mënyrë thelbësore. Megjithatë, çështjet e ndjeshme politike, çështjet e kompromiseve të mundshme dhe takimi i nevojshëm midis udhëheqësve ende nuk janë përpunuar mjaftueshëm. Ne po mbështetemi në takimin e ardhshëm dhe do të ishte e përshtatshme që ai të zhvillohet në shkurt", tha Zelensky.

Ditën e djeshme, përfundoi raundi i tretë i bisedimeve në Gjenevë midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Edhe pse i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, kishte shprehur optimizëm për bisedimet të cilat zgjatën rreth dy orë, si pala ruse ashtu edhe ajo ukrainase treguan se ato kishin qenë "të vështira".

Moska dhe Kievi mbeten larg njëri-tjetrit për çështjet kryesore të territorit dhe kushtet e një armëpushimi të mundshëm në konfliktin katërvjeçar.

Rusia ka kërkuar kontroll të plotë të Donbasit lindor të Ukrainës, i përbërë nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Kievi e ka refuzuar prej kohësh këtë kërkesë, pasi për ta kjo do të ishte të heqësh dorë nga territori sovran ukrainas.

Një tjetër pikë ngërçi në bisedime është statusi i centralit bërthamor të Zaporizhzhisë. Termocentrali - më i madhi në Evropë ndodhet në vijën e frontit dhe ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022.