Presidenti i Confindustrisë italiane Vincenzo Boccia në një intervistë me gazetarin Denis Minga për Report Tv ka deklaruar se nga Italia ka një pritshmëri për reformën në drejtësi në mënyrë që të rriten investimet në Shqipëri. 

Sipas tij edhe një infrastrukturë moderne dhe mos ndryshimi i rregullave në rrugë e sipër do të ndikonin ne rritjen e investimeve të huaja. Presidenti i Konfindustrisë gjithashtu theksoi se Italia dhe Shqipëria janë dy vende komplementare dhe duhet të përballojnë së bashku sfidat e ekonomisë botërore. 

Si shikohet Shqipëria nga investitorët italianë?
Vincenzo Boccia: Shqipëria shikohet shume mirë, një vend komplementar i Italisë edhe në aspektin gjeografik, një platformë e madhe për Ballkanin , me një Itali që mundet dhe është  një platformë e madhe për Europën dhe Mesdheun...një vend me mundësi të mëdha.

A ka instrumenta apo mbështetje financiare për kompanitë italiane që investojnë në vendin tonë?
Vincenzo Boccia: Po ka instrumenta të institucioneve si SACE, SIMEST, sot kemi këtu dhe ICE, Shoqatën e bankave italiane, sistemi italian ka lëvizur sot në këtë mision të madh. Më lejoni të falenderoj dhe kryeministrin Rama për fjalët e bukura që shprehu sot në raport me Italinë . E konsiderojmë një gjest miqësie por edhe vlerësim ndaj industrialistëve italianë për atë që mund të bëjnë në Shqipëri.

Sot ishte një forum shumë i rëndësishëm, çfarë rezultatesh konkrete mund të priten nga ky takim?
Vincenzo Boccia: Të punojmë mbi potencialet, të risjellim çështjen industriale në qendër të dy vendeve, të punojmë në logjikën komplementare , dhe ti shndërrojmë pozitat tona gjeografike shumë interesante edhe në aspektin gjeo-ekonomik. Kjo ka të bëjë me atë që duhet të bëjnë kompanitë por edhe politikat ekonomike e të dy vendeve.

Cilët janë sektorët ku janë të impenjuar më tepër kompanitë italianë në Shqipëri?
Vincenzo Boccia: Infrastruktura, agro-industria, pastaj Italia është prezente në shumë sektorë . Kemi shumë potenciale dhe mund të bëhet shumë në agrikulturë, duke kaluar në infrastrukturë dhe në sektorin energjetik. Ekzistojnë shumë mundësi edhe të ndërtosh në logjikën e partneritetit më industrinë shqiptarë është një tjetër vlerë e shtruar në të mirën ë të dy vendeve. 

Këta janë sektorët më joshës për Italinë?
Vincenzo Boccia: Po këto janë sektorët historikë më tërheqës për Italinë në raport më Shqipërinë. 

Megjithatë prej shumë vitesh Shqipëria shikohet si një mundësi ë artë për investitorët italianë por nuk ka patur shumë investime të mëdha, pse sipas jush?
Vincenzo Boccia: Kjo nuk është e vërtetë, sot bëmë disa takime ku ishin përfaqësuesit e Hekurudhave të Shtetit italian, shoqëri të mëdha italiane dhe shoqëri të mësme. Duhet theksuar Italia ka shumë kompani të mesme dhe të vogla . Pastaj prezenca e Italisë në Shqipëri është shumë domethënëse. Është vendi i parë në Shqipëri përsa i përket bilancit tregtar dhe investimeve. Kjo s'do të thotë se duhet të kënaqemi por duhet të bëjmë më shumë . Prania jonë sot e përcakton me forcë këtë pikënisje të re, të besojmë në vendin tuaj dhe të krijojmë një rrugëtim të përbashkët zhvillimi në interes të të dy vendeve. 

Sipas jush a ka pengesa për të investuar në Shqipëri?
Vincenzo Boccia: Më tepër se pengesa ka pritshmëri që lidhen edhe me vendin tonë. Kemi shumë pritshmëri për reformën tuaj të drejtësisë. Është e domosdoshme të investohet shumë në infrastrukturë. Këto janë çështje të të gjitha vendeve që duhet të pranojnë sfidën e modernitetit dhe të mbrohemi nga interesat e mëdha industriale të Kinës dhe SHBA. Ne kemi një treg të madh, një vend të konsiderueshëm në BE ku Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë. Dhe në këtë aspekt ne mund të luajmë një ndeshje të madhe së bashku.

Kur një investitor italian vjen në Shqipëri për të sonduar terrenin, sipas jush çfarë e tremb më tepër?
Vincenzo Boccia: Nuk mendoj se e tremb diçka, e rëndësishme është që kur arrin një investitor në shumë raste, në 90 % të rasteve dëgjon investitorët që janë tashmë në Shqipëri, të cilët kthehen në ambasadorë të Shqipërisë. Kështu që investitorët italianë që janë tashmë prezentë dhe rastet e tyre të suksesit janë një garanci për të tjerë kolegë të tyre për të vazhduar të investojnë dhe për të përshpejtuar në këtë drejtim. 

Por çfarë mund të bëjë më tepër Shqipëria për të thithur investimet italiane?
Vincenzo Boccia: Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma siç i kemi kërkuar në Itali. Kemi vënë re sot një aspekt të rëndësishëm mbi formimin e të rinjve, zhvillimi infrastrukturor që duhet të rritet, rregulla të qarta dhe të mos ndryshohen në rrugë e sipër, janë rregulla e përhershme që i duhen vendeve të mëdha si Shqipëria dhe Italia në mënyrë që investitorët të kenë siguri për të ardhmen.

Dhe një pyetje të fundit, Ne ndjekim me interes zgjedhjet në Itali që janë shumë afër, si i shikoni ju këto zgjedhje?
Vincenzo Boccia: Të shohim, shpresojmë mos të ketë konfuzion pas votës, kemi nevojë për një politikë të fortë në Itali se ka një debat të fortë edhe mbi bilancin europian. Mes të tjerash Italia është vendi i dytë prodhues në Europë dhe për këtë arsye ka nevojë për një politikë koherente që të bëjë llogaritë me bonsensin, pragmatizmin, dhe mbi efektet e ekonomisë reale që do të kishin zgjedhjet politike. 

Dhe nëse nga vota do të dalë një koalicion i madh si në Gjermani? 
Vincenzo Boccia: Të shohim, e rëndësishme është që të jetë një koalicion i madh që të jetë kompetent për vendin tonë, ta çojë përpara në një të ardhme ku kemi shume potenciale.

Megjithatë asgjë nuk do të ndryshojë në raport me Shqipërinë?
Vincenzo Boccia: Jo, nuk do të ndryshojë asgjë në politikën e jashtme italiane, pavarësisht qeverive që kanë ardhur politika e jashtme ka qenë gjithnjë koherente, është historia e vendit tonë dhe sigurisht nuk do të ndryshojë asgjë, vetëm do të përmirësohet. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com