Ramadani është zgjedhur në këtë post nga Kuvendi i Shqipërisë dhe vetëm ai mund ta largojë prej andej. Por, duket se ai nuk ka pritur të konstituohet Kuvendi i ri. Me sa duket, Ramadani ka paraqitur dorëheqjen nga ky post dhe pritet që këtë ta miratojë parlamenti.
Ramadani ka patur fërkime me opozitën e mëparshme, që tani do të kalojë në mazhorancë, duke qenë se ka miratuar të gjitha kërkesat e qeverisë Berisha, megjithëse Enti Rregullator është teorikisht një institucion i pavarur. Largimi i tij krijon mundësinë për emërimin nga mazhoranca e re të një individi të caktuar nga ajo.
Kreu i ERE-s ka qenë dakord që të bllokohej për tre vjet tarifa e shitjes me pakicë të energjisë elektrike, çka krijoi konfliktin shtet-CEZ, që përfundoi me largimin e çekëve nga administrimi i shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, ndërmarrje, që ata e kishin privatizuar me 100 milionë euro. Që nga qershori i vitit 2011, ai ka marrë postin, me 72 vota të mazhorancës së djathtë, me një votë kundër. Ramadani ka zëvendësuar në këtë detyrë Bujar Nepravishtën, ndërkohë që më parë kishte qenë drejtor i përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).
Në dhjetor të vitit të kaluar ai hoqi licensën e shpërndarjes dhe tregtimit të energjisë elektrike për investitorët çekë, gjë, që hapi rrugën për kalimin e sektorit në administrim sërish të shtetit, me drejtor Sahit Dollapin, që e kishte drejtuar edhe më parë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Sipas kreut të Entit Rregullator, largimi i CEZ-it nuk ishte një tragjedi pasi ka kompani të tjera të cilat janë të afta të menaxhojnë këtë sektor. Por, aktualisht shteti shqiptar ndodhet në Arbitrazh me kompaninë çeke, ndërkohë që sjellja ndaj saj nga autoritetet krijoi edhe një problem jo të vogël diplomatik midis Pragës dhe Tiranës.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.08.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)