Xhamia e Namazgjasë, në prag të përfundimit të ndërtimit të saj, ka tërhequr vëmendjen e agjencisë së lajmeve Christian Science Monitor (CSM) e cila i ka kushtuar së artikull të gjatë. Organizata në fjalë e vë theksin te financimi i Turqisë, stilin osman dhe debatin që ajo ka hapur në Tiranë. Xhamia u ngjan më shumë xhamive të Stambollit, sesa atyre që janë ndërtuar në Shqipëri dhe kjo ka qenë një nga specifikat e debatit që ka ndarë edhe vetë besimtarët.  

Kreu i KMSH, Skënder Bruçaj është shprehur pa u druajtur se nëse KMSH do t'i kishte vetë paratë, atëherë do zbatonte një projekt ndryshe për Xhaminë e Madhe. 

Nëse ne do të kishim paratë, do të kishim bërë diçka ndryshe. Por gjërat ishin vendosur më parë…nuk është e lehtë për ne.

Skënder Bruçaj, kryetar i KMSH

Bruçaj dëshmon kështu shenja të pakënaqësisë me Tiranën zyrtare e cila autorizoi një ndërtim të kësaj natyre. Në shkrim përmendet edhe bashkëpunimi i Edi Ramës për largimin e 'gylenistëve', një nënshtrim ndaj “vëllait të madh”.

Artikulli i Christian Science Monitor
Me katër minaret e saj të lartë mbi Parlamentin shqiptar, asnjë vizitor nuk mund të humbasë Xhaminë e Madhe të Tiranës. Kur të përfundojë në vitin  2019, Xhamia e re do të jetë më e madhja në Ballkan, me hapësirë të mjaftueshme për pesë mijë besimtarë. I ngjan xhamive të mëdha të Stambollit sesa atyre që janë në Shqipëri, një vend i sunduar nga Perandoria Osmane për më shumë se katër shekuj. Turqia po financon ndërtimin e kësaj xhamie dhe ka mbikëqyrur realizimin e projektit me një kosto prej 30 milionë euro, siç ka bërë me dhjetëra anembanë Ballkanit dhe më gjerë. Jo të gjithë shqiptarët janë të lumtur për këtë, duke përfshirë shumë myslimanë të cilët përbëjnë rreth 60% të popullsisë. Xhamia e re e Tiranës tashmë është bërë simbol për ata myslimanë që ndihen si një "shumicë e diskriminuar" në një nga pak vendet me shumicë myslimane të Europës, sipas fjalëve të publicistit Fatos Lubonja. "Pavarësisht nga shumica myslimane e Shqipërisë (pjesa tjetër përshin 10% katolikë dhe 7% ortodoksë), për shumë kohë ka pasur qëndrime politike që e konsiderojnë Islamin si të papërputhshëm me europianizmin", thotë Lubonja.

Kryeministri Edi Rama i përkushtuar për ndërtimin e Xhamisë
Ndërsa Rama u bë kryeministër i Shqipërisë në 2013, përkushtimi i tij ndaj një projekti të xhamisë qendrore përputhej me fushatën e ndërtimit të xhamive të Ankarasë. Debati publik rreth xhamisë së shpejti u bë një debat rreth Turqisë dhe nëse një xhami "neo-otomane" ishte e përshtatshme në një vend që krenohet me kryengritjen kundër sundimit osman.

Kreu i KMSH, Bruçaj: Do e bënim ndryshe Xhaminë...
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, pranoi se roli i Turqisë në projektin e xhamisë ishte përçarës. Megjithatë, ai theksoi se gjëja më e rëndësishme për të është se më në fund po ndërtohet një xhami qendrore, ndërsa shton se KMSH po t'i kishte vetë paratë, do ta bënte ndryshe Xhaminë.

"Nëse do të kishim paratë, do të bënim diçka ndryshe", pranon z. Bruçaj në zyrat e tij përballë ndërtesës. "Por gjërat u vendosën përpara ... nuk është e lehtë për ne". 

Disa mbeten të acaruar që qeveria e tyre nuk ishte e gatshme ta financonte. "Xhamia ishte e domosdoshme, por ajo duhet të ishte ndërtuar nga shteti shqiptar", thotë një grua, e cila nuk pranoi të jepte emrin, pas namazit të së premtes në xhaminë e vogël afër Pazarit të Vjetër të Tiranës.

"Fakti që nuk ishim në gjendje ta ndërtojmë, tregon se jemi të dobët", vë në dukje një tjetë, në Sheshin Skënderbej në Tiranë. "Pse të mos bëjmë vetë?"

Një diplomacinë e re turke
Shumë shqiptarë pyesin veten nëse xhamia është me të vërtetë për ta. Niuton Mulleti, ligjërues në shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Epoka të Tiranës, tregon se sa e pazakontë ishte që vetë Erdogan u shfaq në ceremoninë zyrtare të xhamisë në 2015. "Do të ishte e paimagjinueshme të shihej presidenti i Italisë në hapjen e një kishe katolike", thotë profesori Mulleti, "dhe e diskutueshme për të thënë të paktën, për të parë kryeministrin grek në hapjen e katedrales ortodokse të Tiranës..."/Cristian Sience Monitor/