Kryetari i sindikatës së naftëtarëve të Ballshit, Sokol Dautaj ka folur për Report Tv, për grevën e urisë të naftëtarëve. Ai tha se greva me 10 naftëtarë përfaqësojnë 850 naftëtarët të cilët nuk kanë marrë pagat e tyre.
"Duke parë kushtet në të cilat ndodhemi të pandemisë dhe duke parë edhe vendet e vogla në të cilat ndodhemi këtu ne duam që një numër prej 10 naftëtarësh do ishte edhe simbolike e grevës së urisë, për arsye se për rreth 850 naftëtarë të cilët kanë qenë me kompaninë e cila operoi vitet e fundit, ky numër prej 10 naftëtarësh në grevë simbolizon të gjithë naftëtarët", tha Dautaj.
Ai u pyet se cili ka qenë komunikimi i fundit me zyrtarët apo përfaqësuesit e kompanisë dhe Dautaj u shpreh se:"Para pak kohësh ata erdhën në ambientet e rafinerisë sonë dhe u prezantuan si përfaqësues të kompanisë, e cila do të menaxhonte rafinerinë tonë dhe mbarëvajtjen e punës në rafineri. Ndaj dhe ne kërkesat nuk i kishim optimale, sepse ishim të paqartë tek rruga gjyqësore, sepse edhe me gjyqin ka një ngërç. Një pjesë e naftëtarëve nuk e kanë fituar gjyqin, janë zvarritje pafund pasi gjyqi ka nisur që në 2017. Por kjo ka qenë në tagrin e sindikatës së parë. Sindikata jonë e re është krijuar gjatë kohës së pandemisë. Megjithatë ne jemi në krye të naftëtarëve dhe jemi të vendosur se derisa të përfitojmë të gjitha të drejtat tona, ne nuk tërhiqemi nga vendimi që kemi marrë."
Por cila do të ishte një zgjidhje e mundshme mes kompanisë dhe naftëtarëve?
"Edhe greva e parë është keqkuptuar, pasi kërkesat ishin minimale sepse kompania nuk ishte në krizë financiare. Ata deklaronin gjithmonë se kemi probleme me furnizimin me lëndën e parë. Gjatë kohës së pandemisë, nafta shkoi pothuajse në kuotën pa lekë dhe ishte një opsion që naftëtarët i bëri që të shikonin me një rreze shprese se kjo naftë do rikthehej dhe do rifillonte puna. Të gjitha pagat do fitohen në proces gjyqësor. Por, rifillimi i punës është jetësore për naftëtarët. Në kërkuam detyrimet, por nuk vendosëm kusht që brenda një dite të jepen. Kjo ishte shumë e qartë, mënyra se si u zvarrit prej një periudhe të gjatë është një tallje sepse nuk ka një reagim konkret. Në muajt e fundit kemi firmosur një kontratë me përfaqësuesit e kompanisë, po çuditërisht nuk kemi as një kopje të gjykatës dhe nuk kemi as pagat që u premtuan", deklaroi Sokol Dautaj për Report Tv.
Lajmi kryesor: