Kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin i ka dalë në mbrojtje presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, me këtë të fundit që është në qendër të kritikave pas eliminimit të kombëtares së kaltër nga Kupa e Botës 2026.

"Kur isha president i federatës sllovene, gjithmonë i thoja trajnerit: 'Nëse fiton, ti dhe lojtarët do të jeni heronj. Nëse humb, faji do të bjerë mbi ne të dy'. Kjo absolutisht nuk është faji i Gabrieles dhe unë nuk do të guxoja të sulmoja as lojtarët dhe as trajnerin.

Ndoshta janë politikanët italianë ata që duhet të pyesin veten pse Italia ka një nga infrastrukturat më të këqija të futbollit në Evropë...", këto janë fjalët e presidentit të UEFA-s, Ceferin, në lidhje me përgjegjësinë e Gravinës për dështimin e tretë të 'Azzurrëve' në Kupën e Botës.

Një thirrje për dorëheqje? Slloveni shton: "Më zemëron dhe më trishton fakti që ka njerëz që 'fshehurazi' presin që diçka të shkojë keq dhe pastaj hidhen në sulm dhe fillojnë të kritikojnë. Ata nuk po mbështesin Italinë, po mbështesin veten.

Më tregoni cili lojtar italian nuk u thirr dhe duhej të ishte thirrur? Është futboll dhe edhe me lojtarët më të mirë në fushë, kushdo mund të humbasë në një ndeshje. Por humbja më e madhe do të ishte për FIGC-në. Nuk do të jetë e lehtë të gjesh një zotëri që e do aq shumë futbollin dhe Italinë. Por nuk jam aq naiv sa të besoj se njerëzit egoistë, të cilët thjesht presin që diçka të shkojë keq, mendojnë për këtë. Nuk u intereson", tha Ceferin. 


Lajmi kryesor:

'Tërmet' në futbollin italian, Gennaro Gattuso dhe presidenti i federatës pritet të zyrtarizojnë sot dorëheqjet