Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në ceremoninë e prezantimit të Albanian Digital Solutions (ADS), një strukturë e re publike që synon të mbështesë modernizimin e shërbimeve publike dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend. Ibrahimaj theksoi se, krijimi i ADS-së përfaqëson një fazë të re të zhvillimit të shtetit digjital shqiptar, ku AKSHI do të fokusohet në rolin strategjik, rregullator dhe monitorues të standardeve, ndërsa ADS do të shërbejë si instrument operacional për zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e platformave dhe sistemeve digjitale të administratës publike.
“ADS synon që Shqipëria jo vetëm të ndërtojë zgjidhje teknologjike për administratën publike, por edhe t’i eksportojë ato në tregje të tjera, duke krijuar potencial të ri ekonomik dhe duke zhvilluar industrinë vendase të teknologjisë”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Gjatë fjalës së saj, ministrja ndaloi edhe te projektet që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike, veçanërisht në sistemin e prokurimeve publike, ku inteligjenca artificiale do të mbështesë hartimin e termave të referencës, përllogaritjen e fondit limit, kontrollin e dokumentacionit dhe monitorimin në kohë reale të procedurave të tenderimit.
“Qëllimi ynë është që Shqipëria të ketë sistemin e parë të prokurimeve publike tërësisht me inteligjencë artificiale dhe pse jo të eksportojë këtë sistem në të gjithë vendet e botës”, u shpreh Ibrahimaj.
Lajmi kryesor:
Krijohet kompania shtetërore ‘Albanian Digital Solution’, simotra e AKSHI-t për shërbimet dixhitale! Rama: S’do jemi më peng i sektorit privat








