Partia Popullore Evropiane ka dënuar nderimet publike dhe shtetërore gjatë ceremonisë mortore të Ratko Mladiç në Beograd, duke deklaruar se krimet për të cilat ai u dënua “nuk duhet të relativizohen, glorifikohen apo të harrohen kurrë”.
PPE e cilëson “thellësisht shqetësuese” mënyrën se si u zhvillua ceremonia dhe ndalet veçanërisht te pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë serbë.
Në reagim thuhet se Mladiç, i dënuar për krime lufte dhe gjenocidin në Srebrenicë, ishte përgjegjës për disa prej krimeve më të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
“Krimet e tij janë vërtetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe nuk duhet të relativizohen, glorifikohen apo të harrohen kurrë”, thuhet në deklaratë.
Sipas PPE-së, nderimet publike dhe shtetërore bien ndesh me parimet e pajtimit, respektit për viktimat dhe përgjegjshmërisë, të cilat ajo i konsideron vlera themelore të projektit evropian.
“Asambleja Politike shprehu të njëjtin mosbesim dhe dënoi këto zhvillime, në përputhje me qëndrimin e shprehur nga drejtuesit e PPE-së dhe komuniteti ndërkombëtar”, vijon reagimi.









Komente
Komento