Krimi i pandëshkuar në shkatërrimin të objekteve të trashëgimisë/FOTO

Krimi i pandëshkuar në shkatërrimin të objekteve të trashëgimisë/FOTO

Mark Brunga me At Thomain

Në një udhëtim nepër kishat e veçanta të Voskopojës,  kalldrëmi i gurtë i resturuar, kur i drejtohesh periferisë,  të shpie drejt kishës së  Kryengjejve Mikael dhe Gabriel. Ngjitur me të cilën kanë qënë edhe dy kisha të tjera; e Shën Varvarës dhe e Shën Spiridonit. Atë Thomai tregon me hollësi  mbi fuqinë ekonomike të Voskopojës, qytetit kozmopolit, dhe mbi kishat e ndërtuara  në periudhen e lulëzimit, numeri i të cilave shkoi deri në 24. Shumë  prej te cilave të zbukuruar me një ikonografi mahnitëse që i bejnë ato me vlera të niveleve botërore.

Po në kishën e Kryengjëjve Mikael dhe Gabriel ka shumë afrekse të cilat At Thomai nuk na lejon ti filmojmë. Afresket janë të mrekullueshme, por tashmë dihet që janë të dëmtuara disa herë. Gjurmë thikash dhe mbishkrimesh të shumta  me mjete prerëse kanë stampuar një barbari ijorance mbi faqet e murit ku vezullon arti i emrave të shquar të ikonografëve shqipatarë. Voskopoja është tërheqëse me gjithçka.

Me historinë  e shkuar të rrallë në llojin e sajë, me shkëlqimin, lavdinë dhe së fundi me  rrënimin e djegien 4 herë rradhazi. Voskopja u shkatërrua nga djegie të njëpasnjëshme: në 1769 nga osmanët, në 1788 nga trupat e Ali Pashës që e rrafshuan përfundimisht dhe 2 rradhë të tjera që vijuan me pas. Qyteza është djegur herën e katërt edhe nga gjermanët, por ikonat nuk i dëmtoi pushtuesi… Tashmë pas kaq vitesh pikturat megjithë resaturimet e bëra, nuk i fshehin dot plagët e shkaktuara nga mercenarët modernë (mbase të  paguar) për ti dëmtuar. Për dëmtuesit, drejtësija nuk ka gjetur autor. Përveç rrënimit të afreskeve të Selenicasit të famshëm, vëllezërve Zoografi dhe shumë të tjerëve, gjah i pandërprerë i trafikantëve, kanë qënë edhe ikonat e famëshme, që janë grabitur dhe trafikuar.

Valshi mes kryeveprave të ikonografisë, shenjëtorëve dhe vrasësve të tyre

Veprat e artit nuk i shkaterroi as lufta dhe as viti 1997 janë shkatërruar në  naten e vitit të ri edhe në malësinë e Shpatit të Elbasanit. Ato nuk janë demtuar per tu shitur, por ka shume të ngjarë që duke qënë në një zonë me histori të veçantë  të autoktonisë janë dëmtuar qëllimisht. Në këtë konkluzion dalim, pasi asnjë specialist nuk mund ti rekomandojë dikujt që për të transferuar një vepër arti murale të përdoret sqepari. Dhe asnjë tregtar veprash arti në botën perëndimore, nuk kërkon vepra të paplota. Nga kjo del se heqja e kokave të shënjëtorëve onufrianë në këtë rast është kërkesë thjeshtë për heqje identiteti. Fakti që ato janë dëmtuar natën e vitit të ri në kapërcyell të 31 dhjetorit 2012- 1 janar 2013, ka shume gjasa që të jete realizuar nga ndonje vëndas emigrant “mercenar” i instruktuar për ti bër gjëmën kulturës sonë kombëtare.

Kjo është një e vërtetë e shëmtuar që kërkon ta shëmtoje edhe historiografinë tonë kombëtare duke i rrafshuar majat e saja që rradhiten krahas majave te kulturës boterore. Në, atë periudhë, në  një telefonatë të bërë   me miqte e mijë që banojnë në këtë fshat, më thanë se shkatërruesit e veprës se Onufrit kishin shkuar nga Tirana në  orët e vona të datës 31 dhjetor, kanë hyre në  thellësi të zones dhe me pas kanë lënë makinen pranë  kishës ku ndodheshin kryeveprat  e Onufrit dhe kanë hyrë brenda. Kisha ka qënë e mbyllur dhe kanë prerë çelesat me mjete të forta. Më pas brenda kanë prishur ikonat me sqepar dhe thika. Në dyshemenë  e kishës janë gjetur nga policia thikat që kanë përdorur “vrasësit me pagesë” të  Onufrit.

Janë prishur figura shënjëtoresh  onufrianë dhe një mbishkrim në  greqisht të vjetër. Po nuk janë ngopur me kaq. Me sa duket shefat banditë që e kishin  iniciuar këtë masakër të përbindëshme, nuk do te kenë mbetur të kënaqur nga ploja e bërë mbi to dhe ka gjasa që ti kenë riorientuar mercenarët e tyre që ta përsërisnin masakrën. Dhe kështu, një javë më pas ngjarja është përsëritur.

Mjeti i bardhë me traga të Tiranës ka shkuar sërish në vënd ngjarje në oret e vona të natës  dhe akti i dytë i tragjedisë është përsëritur më barbarisht. Ndersa banorët besojnë se brenda kishës prehet  trupi i Onufrit. Atje në atë kishë modeste nga jashtë, por që brenda sajë kishte kryevepra, ndodht një gur varri që besohet se i përket varrit të ikonografit të madh. Foto e kesaj kishe të cilën e realizuam atë ditë gushti, po e botojmë.  Banoret besonin  se brënda njërës prej kishave të Shpatit eshtë  i varrosur edhe ikonografi Kostandin Shpataraku. Madje për të ka dhe një legjendë të veçantë. Dëmtimet e brëndëshme janë restauruar një pjesë. Po mos ndëshkueshmëria mund të shërbejë si shkak për ti ridëmtuar si këto ashtu edhe objekte të tjera.

Legjenda e Shenjtërisë së Kostandin Shpatarakut

 Në veren e  vitit  2007, në një udhetim të bërë në këto zona me disa miq Elbasanas, kam vizituar disa nga kishat fantastike të Shpatit.  Një banor vëndas më foli atëherë se në Valësh besojnë se Kostandin Shpataraku është nga fisi i Ogajve të Shpatit, por ardhacakë nga Petrela. Sipas valshakëve, kur piktori i shquar po kthehej nga festa e fjetjes së Shën Mërisë, që bie më 15 gusht të çdo viti, turqit i bënë pritë dhe e vranë të  vendi i quajtur”Gjurma e Mushkës”. Duke u nisur nga besim i popullit të zonës, kuptohet se turqit i a prenë kokën, por veprat e tija askush nuk i preku. Sipas Josif Toçit, që na shoqëronte atë dite gushti të vitit 2007, legjenda vëndase thotë se pasi i a prenë kokën, atë i a vendosën në një hu gardhi, ndërsa trupin ia lanë tek ura e Shkumbinit. Kërkohet, sipa rregullit të qeverisjes otomane, për t’u nisur koka në Turqi, por asqerët s’e morën dot, pasi një mal me grerëza u sul mbi ta dhe i verbonte.

Askush s’e preku më me dorë, theksonte legjenda. Shkuan shpatarakët dhe e morën kokën e ikonografit të madh dhe grerëzat u hapën udhë. I morën dhe trupin  i a varrosën në Valësh, ku kishte familjen. Po për të u hapën tre varre me qëllim që, nëse turku do të kërkonte ta grabiste varrin, të mos dinin ku ta gjenin. Mendohet, tha Toçi, sipas banoreve, se varri i tij është në një prej kishave të  Valshit, të cilën e kishte pikturuar edhe një tjetër shenjëtor i pikturës shqiptare, Onufri i Madh. Në vendin e quajtur “Gjurma e Mushkës”, thonë vendësit, deri para 12   viteve ( bëhet fjalë për në vitin 2007), ndizeshin qirinj si në një vend të shenjtë. Tashmë aty është ndërtuar një pallat dhe “gjurma” është zhdukur...

Arti i Onufrit

Edhe shteti i sistemit socialist është krenuar me penelin e ikonografit të madh, Onufri. Megjithëse kishat, ku kishte lulëzuar ky art, u shkatërruan, për Onufrin u ngrit një muze në Berat dhe u shkruajt gjerë e gjatë nepër literaturën e kohës, si dhe nëpër simpoziumet shkencore ndërkombëtare. Dhe veprat e tija u ruajtën. Vite më parë, ish-zëvëndësministri i Kulturës, shkrimtari Anastas Kondo, në biseda me miqtë e vet tregonte se, ndërsa shoqëronte një kolegun e tij nga një vënd i Europës Perëndimore (Austri) në muzeun e Gjergj Kastriotit në Krujë, miku u ndal gjatë në kundrimin e një ikone të Onufrit, që ndodhej e ekspozuar në këtë muze. Më pas ai i tha zëvëndës ministrit shqiptar  se Shqipëria me tri ikona të tilla mund të përballonte një plan 5-vjeçar të atyre viteve. Ndoshta ishte një ofertë diplomatike për blerje të tyre. Kur ia relatuan këtë thënie Enver Hoxhës, tregojnë se ai u përgjigj: “Nuk ka ar perëndimi që të blejë artin e Shqipërisë”!

Vjedhja e skulpturës së Shën Mikelit në Rodon

Në fund te muajit korrik, ra në sy mungesa prej disa kohesh ne muret e kalasë së Skënderbeut në Kepin e Rodonit të nje basorelievi të njohur si e Kryeengjellit Mikael (Shen Mehilli). Basorelievi ishte shkulur me dhunë nga muret ku nuk e kishin shkulur pushtuesit turq pas rënjes së Krujës. Figura e zhdukur e shënjëtorit përfaqësonte sipas historiani Hasan Ulqini një objekt pagan (Redoni ilir zinte një hapësirë shumë më të gjerë në bregun lindor të Adriatikut se sa territoret e qytetit të Durrësit). Sipas Ulqinit  “ky reliev është shumë më i hershëm se vetë kalaja. E përforcojnë këtë mendim thyerjet e paplotësuara, çka tregon se ky reliev është marrë diku, në një nga objektet e shumtë të kultit që gjenden përreth. Relievi paraqet pjesën e sipërme të një burri, që krahas krahëve ka edhe dy fletë, ndërsa koka është e mbështjellë me një aureolë. Kjo ka bërë që studiuesit ta identifikojnë me një engjëll... Mos kemi të bëjmë me një reliev të Rodonit (Redonit), perëndisë së lashtë ilire? Nga sa shihet, trifurku i Poseidonit te Rodoni (Redoni) ilir është një element tjetër (por që ka lidhje të ngushtë me detin) – rremi i një anieje”. Një objekt afërsisht si Shën Mikeli është hedhur në erë nga rusët në kalanë e Turrës. Edhe në këtë kështjellë , sipas një informate të arkeologut Vangjel Toçi, ka patur një reliev të ngjashëm me atë të Kepit të Rodonit.

Aty pranë ndodhet fshati Rrakull (në hartat mesjetare Irakle, që të kujton po Herakliun, një nga personazhet e huaja në legjendën për themelimin e qytetit të Durrësit. Historia dhe rendësia e anashkaluar e shkatërrimit të qëllimshëm të objektit të rëndësishëm te Kalasë së Rodonit bie në sy kur vërehet se edhe në kalanë e Ulqinit shohim të gdhendur një reliev të ngjashëm "me engjëllin me krahë" të kalasë së Kepit të Rodonit, çka e forcon më tej mendimin e arkeologut Hasan Ceka që Redoni ilir zinte një hapësirë shumë më të gjerë në bregun lindor të Adriatikut se sa territoret e qytetit të Durrësit (Kepi i Lagjit në jug dhe ai i Redonit në veri). Pra me dëmtimin e tijë të qëllimshëm dhe që kaloi pa asnjë prononcim nga zyrtaret e Institutit te Monumenteve të Kultures së asaj periudhe vërehet se është dëmtuar qëllimisht një nga piramidat solide të historise sonë kombetare që tregonte, duke i u refruar Ulqinit se shprehnin kalimet nga Redoni ilir tek shën Mikeli, që duhen parë  si transformime shpirtërore të një populli autokton në rrjedhë të shekujve që nga antikiteti (pagan), në kohën e mesme (të krishterë)...Po ky agresion, i pandëshkuar asnjëherë ndaj veprave me vlerë të historiografisë sonë kombëtare ka filluar prej vitesh me grabitjen e kishave dhe muzeumeve tona. Edhe objektet e vjedhura si në Voskopojë e gjetkë, në kalane e Skënderbeut në Rodon ashtu  dhe shkatërrimi i  afreskeve onufriane dhe të gjigandëve të tjerë, të dëmtuara janë pak a shume brenda të njejtes periudhë kohore. Enigma ngelet e pazgjidhur se kush qëndron pas kësaj ofensive shume planëshe të shkaterrimit të pasaportave të sigurta të identitetit tonë kombetar që u përkasin periudhave kyçe të udhëtimit historik të kombit tonë vetmitar...

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja tha 'garantohet vota parapëlqyese në 2/3 e listës', shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive

Kushtetuesja tha 'garantohet vota parapëlqyese në 2/3 e listës', shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive