Gjykata Italiane ka dënuar me 16 vite burg shqiptarin Kujtim Beli, i cili akuzohet për një krim pasioni të ndodhur në korrik të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për krimin e rëndë të ndodhur në Terni, ku shqiptari Beli vrau shokun e tij, shtetasin Demir Hyseni, pasi dyshonte se ai kishte pasur lidhje me ish-gruan e tij.

Si ndodhi krimi
Kujtim Beli ka pranuar krimin para autoriteteve italiane, duke sqaruar dhe arsyet në bazë të së cilave Prokuroria zyrtarizoi urdhrin e arrestit “Krim pasioni për motive të dobëta”. Mediat italiane shkruajnë se një ditë para se ta vriste, Beli e kishte telefonuar viktimën, duke e informuar se ndodhej në Itali dhe kishte nevojë për ndihmë për një vend pune.

Pikërisht me anë të kësaj bisede telefonike, policia italiane ka mundur të gjejë gjurmët e lëvizjes së vrasësit, i cili u arrestua 12 orë pas krimit në afërsi të portit të Barit ndërsa po tentonte të largohej drejt Shqipërisë

Sipas hetimeve, takimi mes Belit dhe Hysenit ka nisur me një grindje të ashpër me fjalë e më pas ka kulmuar me disa të shtëna pistolete.