Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët. Me lutjet për paqe dhe mirësi, ortodoksët ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin. Ngjallja e Krishtit këtë vit kulmoi në mesnatën mes 11 dhe 12 prillit.
Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’, nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan. Mijëra besimtarë morën pjesë në meshën solemne, duke ndezur qirinj dhe duke përcjellë mesazhe paqeje, shprese dhe besimi.
"Në kohën që po jetojmë, po përballemi me një formë të re vdekjeje, mpirjen e indiferencës, tharjen shpirtërore të një shoqërie që harroi Perëndinë, jo sepse iu ndalua, por sepse zgjodhi ta injorojë. Përplasja e bindjeve të padukshme vazhdon të shkatërrojë jetë të dukshme. Çfarë i vlen njeriut të fitojë gjithë botën, na thotë Krishti, nëse humbet shpirtin e tij? Këto fjalë janë më aktuale se kurrë. Jetojmë në një epokë ku njeriu ndjek pa pushim të mirat materiale, sigurinë, statusin shoqëror dhe megjithatë ndihet më i zbrazur, i vetmuar, i paplotësuar, i shqetësuar se kurrë", tha kryepeshkopi Joan.
Atmosfera në këtë natë të veçantë shoqërohet me lutje dhe rituale tradicionale, ndërsa kambanat bien për të shpallur Ngjalljen. Klerikët ortodoksë theksojnë se kjo festë është një thirrje për dashuri, falje dhe bashkim mes njerëzve.
"Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, lakmia dhe egoizimi. Fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh. Bëni paqe në zemrën tuaj. Nuk ka paqe aty ku është e keqja. Le ta përhapim paqen kudo së bashku me lajmin e gëzuar se Krishti u ngjall", tha kryepeshkopi Joan.
Pas meshës, besimtarët u larguan me qirinj të ndezur në duar, që simbolizon dritën e shpresës për të çuar në shtëpitë e tyre mirësi dhe begati.
Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.
‘Krishti u ngjall’ është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët që çukisin vezët e kuqe, ngjyrë e cila simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.
Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.
Report Tv dhe Shqiptarja.com iu uron të gjithë besimtarëve ortodoksë Gëzuar Pashkën!
Mbrëmjen e djeshme, qindra besimtarë ortodoksë janë mbledhur në disa kisha të qytetit të Elbasanit për të kremtuar Pashkët. Në një atmosferë të qetë dhe plot besim, ata kanë ndezur qirinj dhe kanë shkëmbyer urimet tradicionale për këtë festë të shenjtë.
Gjatë meshës, Mitropoliti i Elbasanit, Librazhdit dhe Shpatit, Imzot Andon Merdani, përcolli mesazhe paqeje dhe shprese, duke uruar paqe dhe mbarësi.
“Sot është një ditë e shënuar, dita e Pashkës, ngjalljes së Jezu Krishtit. Për ne është një gëzim i veccantë që marrim pjesë në këtë ditë të ngjalljes dhe ndriçimit. Iu urojmë besimtarëve dhe shpresëmirëve Gëzuar ditën e ngjalljes së Zotit. Urojmë paqe në botë dhe mbarësi për të gjithë njerëzit” tha Merdani
Besimtarët ortodoksë në Sarandë kanë marrë pjesë mbrëmjen e së Shtunës në ceremoninë e Ringjalljes së Jezu Krishti, duke shënuar kulmin e festës së Pashkëve.
Ceremonia është zhvilluar në Kisha “Shën Harallambi”, ku qindra besimtarë kanë ndjekur meshën e mesnatës. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe emigrantë nga Greqia, të cilët janë kthyer enkas në Sarandë për të festuar Pashkët pranë familjeve të tyre.
Shërbesa është drejtuar nga At Kozmai, i cili ka përcjellë mesazhin e kësaj feste.
Në momentin e shpalljes “Krishti u Ngjall!”, besimtarët kanë ndezur qirinjtë dhe kanë ndarë mes tyre urimin tradicional.
Pas përfundimit të meshës, besimtarët janë rikthyer në shtëpitë e tyre me qirinjtë e ndezur, sipas traditës së kësaj nate.
Besimtarët ortodoksë të Durrësit kanë kremtuar mbrëmjen e djeshme duke u gdhirë dita e sotme Ringjalljen e Krishtit.
Në Katedralen kryesore të qytetit janë mbledhur me dhjetëra besimtarë, duke festuar me urime dhe ndezje të qirinjve.
Po ashtu, besimtarët kanë përplasur edhe vezët e Pashkës me ngjyrën e kuqe, që simbolizon gjakun e Krishtit.
Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.
Në mesnatën e së dielës së Pashkës, besimtarët ortodoksë të Beratit përjetuan momentin më të shenjtë të kalendarit të krishterë, shpalljen e lajmit të madh: “Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall”.
Ceremonia solemne e Pashkës u zhvillua në katedralën “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Imzot Asti. Qindra besimtarë ortodoksë morën pjesë në këtë meshë të shenjtë, duke u mbledhur brenda dhe jashtë katedrales për t’u lutur për paqe, shëndet dhe një jetë më të mirë.
Liturgjia e ringjalljes nisi me meshën e shenjtë, ku u përcoll mesazhi i shpresës dhe i triumfit të jetës mbi vdekjen. Në vijim të ceremonisë, besimtarët morën dritën e shenjtë duke ndezur qirinjtë nga flaka e bekuar, një simbol i dritës hyjnore që secili e çon në shtëpinë e tij si shenjë bekimi dhe mirësi.
Momenti kulmor i kremtimit u shënua në mesnatë, kur në sheshin përpara katedrales, qyteti u ndriçua nga qindra qirinj në duart e besimtarëve, duke krijuar një atmosferë të veçantë shpirtërore dhe simbolike.
Besimtarët ortodoksë gjirokastritë kanë kremtuar mbrëmjen e djeshme duke u gdhirë dita e sotme Ringjalljen e Krishtit. Katedralja e “Ngjalljes së Krishtit” ka mbledhur me qindra besimtarë duke uruar njëri-tjetrin "Krishti u Ngjall”. Kambana e kishës ka tingëlluar fort në momentin kur akrepat e orës shënuan ardhjen e ditës së re dhe simbolikisht Ringjalljen e Krishtit.
Mesha e organizuar nga klerikët ortodoksë vendas në ambientet e jashtme të katedrales u përcoll nga besimtarët e shumtë të cilët nxitonin të ndeznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re. Së bashku me të dhe vezët e Pashkës me ngjyrën e gjakut të Krishtit, janë çukitur me ardhjen e ditës së shënuar për të gjithë krishterimin ortodoks në mbarë botën.
Ceremonitë fillestare ortodokse në Kishën e “Ngjalljes së Krishtit”, kanë filluar të Premten e Madhe në përkujtim të kryqëzimit të Jezu Krishtit ku besimtarë të shumtë janë lutur për më shumë paqe, mirësi dhe begati, për më shumë dashuri mes njerëzve. Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.
Për të gjithë besimtarët ortodoksë në Fier, mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u Ngjall” e bashkë me të u ngjall edhe shpresa. Ceremonia e Pashkës u kremtua në kishën e Shën Gjergjit, ndërkohë që u ndoq nga qindra besimtarë të cilët ishin mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të kishës duke u lutur në një ndër ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për më shumë paqe, harmoni e begati.
Besimtarët fillimisht morën pjesë në meshën e ringjalljes së Krishtit që pasoi me lutjen e traditës sipas liturgjisë me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste. Më pas besimtarët ortodoksë morën dritë nga Drita e Zotit, duke ndezur qirinj nga Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla Hyka.
Në fjalën e tij, ai theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja finale i përket së mirës dhe jo së keqes.
Urimi “Gëzuar Pashkët” bashkoi të gjithë besimtarët të cilët uruan më shumë paqe e dashuri në këto kohë të trazuara.
Teksa fishekzjarret ndriçuan qiellin në mesnatë, besimtarët ortodoksë sipas traditës morën qirinjtë e ndezur në kishë e më pas iu drejtuan shtëpive të tyre.
Mijëra besimtarë ortodoksë kanë kremtuar festën e Pashkëve në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, qytet i cili ka krijuar një traditë të veçantë në festimin e kësaj dite.
Mesha u drejtua nga mitropoliti i Korçës imzot Anastasi, i cili në mesnatë njoftoi “Ringjalljen e Krishtit”, nën tingujt e kambanave e ndezjen e qirinjve me dritën e shpresës, me fjalët “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”.
Të gjithë besimtarët, jo vetëm korçarë por edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, që kishin mbushur sheshin para Katedrales dhe përgjatë pedonales së qytetit, morën dritën e qirinjve dhe e çuan sipas traditës në shtëpitë e tyre me shpresën se kjo “Pashkë do të sjellë më shumë mbarësi”.
Ashtu si çdo vit, qyteti i Korçës është kthyer në një nga pikat referuese të të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe jo vetëm, që e zgjedhin për të kaluar festën e Pashkëve.
Besimtarët ortodoksë në Vlorë kanë festuar Pashkën, e cila simbolizon Ngjalljen e Krishtit.
Atmosfera në këtë natë të veçantë është shoqëruar me lutje dhe rituale tradicionale, ndërsa kambanat kanë rënë për të shpallur Ngjalljen. Kjo festë është një thirrje për dashuri, falje dhe bashkim mes njerëzve.
Pashka ortodokse mbetet një nga festat më të rëndësishme për besimtarët ortodoksë, duke sjellë çdo vit një mesazh të fortë shprese dhe ripërtëritjeje shpirtërore. Mesha është drejtuar nga Atë Konstandin Prifti që ka përcjellë urimin për Pashkët
Besimtarët kanë marrë pjesë në meshën solemne të mesnatës, duke ndezur qirinj dhe duke përcjellë mesazhe paqeje, shprese dhe besimi.
Në Vlorë, ceremonia dhe mesha janë zhvilluar në Kishën e “Shën Theodhorit”, ku kanë marrë pjesë besimtarë dhe qytetarë të shumtë.
Në kishën e Shën Harallambit në Dhërmi është mbajtur mesha solemne për Ringjalljen e Krishtit, një ceremoni që tashmë është kthyer në traditë për banorët e këtij fshati.
Urimet për këtë ditë të shenjtë kanë ardhur edhe nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, i cili uroi jo vetëm besimtarët e Dhërmiut, por të gjithë qytetarët e Himarës për këtë festë të veçantë.
Pjesë e ceremonisë së Ringjalljes së Krishtit ishin gjithashtu i deleguari i Partisë Socialiste për qarkun Vlorë, Blendi Çuçi, si dhe deputeti Damian Gjiknuri, të cilët përcollën urimet e tyre për besimtarët.
Qytetarë të shumtë kanë përcjellë urime dhe kanë ndarë momente feste nga kisha e Dhërmiut, duke e bërë atmosferën edhe më të ngrohtë dhe festive.
Në momentin kur akrepat shënuan mesnatën, thirrja “Krishti u ngjall” u shoqërua me një atmosferë të veçantë festive, ku nuk munguan fishekzjarrët. Risi për këtë vit ishte edhe spektakli me dronë mbi qiellin e Dhërmiut, duke i dhënë festës një dimension modern dhe mbresëlënës.
Komente











