Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët. Me lutjet për paqe dhe mirësi, ortodoksët ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin. Ngjallja e Krishtit këtë vit kulmoi në mesnatën mes 11 dhe 12 prillit.
Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen ‘Ngjalla e Krishtit’, nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan. Mijëra besimtarë morën pjesë në meshën solemne, duke ndezur qirinj dhe duke përcjellë mesazhe paqeje, shprese dhe besimi.
Atmosfera në këtë natë të veçantë shoqërohet me lutje dhe rituale tradicionale, ndërsa kambanat bien për të shpallur Ngjalljen. Klerikët ortodoksë theksojnë se kjo festë është një thirrje për dashuri, falje dhe bashkim mes njerëzve.
Pas meshës, besimtarët u largouan me qirinj të ndezur në duar, që simbolizon dritën e shpresës për të çuar në shtëpitë e tyre mirësi dhe begati.
Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.
‘Krishti u ngjall’ është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët që çukisin vezët e kuqe, ngjyrë e cila simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.
Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.
Report Tv dhe Shqiptarja.com iu uron të gjithë besimtarëve ortodoksë Gëzuar Pashkën!
Komente











